“Kryeministri Albin Kurti, mundet dhe duhet me ndalë Zajednicën. Pa aprovimin e tij, Zajednica nuk mund të themelohet”.
Kështu është shprehur Ali Sefaj, i cili është zyrtar i lartë në Ministrinë e Infrastrukturës.
Sipas tij, “nëse kryeministri Kurti jep dorëheqje apo e stimulon rrëzimin e qeverisë, e tradhton kauzën me të cilën ka ardhë në pushtet dhe duhet me ndeshku me votë”.
Por, ai gjithashtu shtoi se kushdo që ka synim rrëzimin e Kurtit nga pushteti për ta themeluar Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe, e cila është kërkesë direkte e ShBA-së, sipas tij, është armik i Kosovës.
“Kushdo që synon me rrezu kryeministrin për me themelu zajednicën është i marre, ose armik i Kosovës dhe duhet ta ndeshkojmë me votë. Thuani jo zajednices, për të mirën e Republikës”, përfundoi ai në Facebook.
Megjithatë, dy zyrtarët e lartë amerikanë, Derek Chollet dhe Gabriel Escobar kanë kërkuar vazhdimisht themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Për këtë, funksionarë e deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje – partisë në pushtet – po e kundërshtojnë pasi sipas tyre, një gjë e tillë e destabilizon vendin.