Bahri Selimi, drejtor i Shërbimeve Publike në Podujevë, ka folur në lidhje me dëmet që janë shkaktuar nga vërshimet e ditëve të fundit.
Selimi ka thënë se është krijuar një komision i veçantë ku qytetarët do të mund të drejtohen për t’ua kompensuar dëmet.
Ai tregoi se vendet rurale ishin më të goditurat.
“Ne realisht kemi marr telefonata të shumta nga qytetarët të cilët janë të interesuar që të dinë më saktë për dëmet e tyre, si do të jenë në vazhdimësi procedurat. Ne sot, në faqen e Komunës, kemi bërë një shkresë ku i kemi njoftuar për ata formën dhe metodën si do të duhet të drejtohen në komunë”, ka theksuar Selimi.
“Ne fillimisht kemi një komision nuk është hera e parë që përballemi me një situatë të tillë, dhe ky komision është i gatshëm që ta kryejë punën e tij”.
“Qytetarët duhet të bëjnë një kërkesë për vlerësim të dëmeve, dhe ajo bëhet në zyrën pritëse në Administratën Komunale, dhe asaj kërkese duhet t’ia paraqesin edhe dëshmitë që kanë pasë dëme, qoftë infrastrukturore qoftë në shtëpitë e tyre. Më pastaj kërkese e tyre drejtohet nga komisioni”.
Ai tha se komisioni ka dalë qysh sot, në terren dhe do të bëjë vlerësimin e të gjitha dëmeve që janë bërë.