Gjykata e Lartë në Beograd i ka caktuar një muaj paraburgim të arrestuarit me dyshime për “krime lufte” në Koshare, identiteti i të cilit ende nuk është bërë publik, transmeton Gazeta Enigma.
Zëdhënësja e Gjykatës së Lartë në Beograd, Milica Veliçkoviq, ka thënë se ky vendim është marrë për shkak se ekziston “rreziku i arratisjes”.
“Kjo që të mos ndikojë te dëshmitarët dhe për shkak se i dyshuari është akuzuar për vepër penale për të cilën është paraparë dënimi me burg mbi 10 vjet, si dhe mënyra e kryerjes së krimit dhe serioziteti i pasojave bëri që opinioni të shqetësohet”, tha Veliçkoviq për gazetën Tanjug në Serbi.
Serbia nuk e ka bërë të ditur kombësinë e të arrestuarit, ndërkohë që ka publikuar inicialet – F.K., i moshës 56 vjeç.
Gazeta Enigma ka dërguar pyetje drejt Ministrisë së Jashtme të Kosovës lidhur me këtë arrestim, si dhe drejt BE-së, por të njëjtat nuk janë përgjigjur deri në momentin e publikimit të këtij artikulli. /Gazeta Engima