Serbia ka bërë një hap më afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian pas hapjes së bisedimeve për një sërë politikash mjedisore.
Të martën, Beogradit iu lejua të fillonte diskutimet mbi ndryshimin e klimës, energjinë, transportin dhe rrjetet e infrastrukturës trans-evropiane.
Kryeministrja serbe, Ana Brnabiq, u tha gazetarëve në Bruksel se masa shënon një moment historik shumë të rëndësishëm për procesin e tyre në integrimin evropian.
Por BE-ja ka paralajmëruar se përparimi në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE ende varet nga normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, shkruan Euronews.
Vendet që duan të bashkohen me bllokun 27-anëtarësh duhet t’i sjellin ligjet dhe rregulloret e tyre në përputhje me standardet e BE-së.
“Serbia po bën një hap tjetër shumë të rëndësishëm përpara në anëtarësimin e saj në Bashkimin Evropian”, tha komisioneri për zgjerimin e BE-së, Olivér Várhelyi.
Por ai shtoi se marrëdhëniet me Kosovën dhe sundimi i ligjit mbeten thelbësore për ritmin e përgjithshëm të bisedimeve të pranimit.
“Është thelbësore që Serbia të vazhdojë të japë rezultate në terren,” tha Várhelyi.
Serbia, e mbështetur nga aleatët e saj Rusia dhe Kina, ka refuzuar të njohë shpalljen e pavarësisë së Kosovës, bashkë me pesë vende aktuale të BE-së. /Gazeta Enigma.