Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shprehu besimin se kjo çfarë po ndodh në Ukrainë, do të jetë një mësim për të gjitha shtetet perëndimore, se me shtetet e tilla që udhëhiqen nga mendësinë e Putinit, siç është edhe vetë Serbia që udhëhiqet nga një ish ministër i Millosheviqit, duhet gjuhë e qartë, e veprime të qarta.
Në intervistë për “Zërin e Amerikës”, Osmani deklaroi se pritshmëria e Kosovës sa i përket procesit të dialogut me Serbinë, natyrshëm se është përqendrimi në njohjen reciproke, sepse kjo është e vetmja zgjidhje e cila çon drejt paqes dhe stabilitetit afatgjatë.
“Gjysmë zgjidhjet në fakt asnjëherë nuk prodhojnë paqe dhe stabilitet afatgjatë, por në anën tjetër i japin hapësirë të mjaftueshme Serbisë që të vazhdojë të afrohet më shumë me Rusinë dhe po ashtu të investojë edhe më shumë në destabilizimin e rajonit tonë”, tha presidentja Osmani, duke shtuar se: -“për fat të keq edhe kjo që po ndodh tashmë në Ukrainë, që nga 24 shkurti i vitit 2022, po dëshmon se shtetet autokratike, siç është Serbia, siç është Rusia e cila e kontrollon edhe Serbinë, asnjëherë nuk shquhen për veprime pozitive në raport me fqinjët e tyre, përkundrazi, Serbia vetëm sa është forcuar në veprimet e saj destabilizuese”.
Presidentja Osmani u shpreh se tanimë shihet se Serbia vetëm sa e ka rritur bashkëpunimin qoftë politik, qoftë ekonomik apo ushtarak me Rusinë, duke ndikuar kështu edhe në rritjen e ndikimit rus në tërë rajonin tonë dhe rrezikimin e rajonit tonë.
“Prandaj besoj që kjo çfarë po ndodh në Ukrainë, të jetë një mësim për të gjitha shtetet perëndimore, se me shtetet e tilla që udhëhiqen nga mendësinë e Putinit, siç është edhe vetë Serbia që udhëhiqet nga një ish ministër i Millosheviqit, duhet gjuhë e qartë, veprime të qarta”.
Presidentja Osmani deklaroi se edhe vetë marrëveshja e fundit që Serbia nënshkroi me Rusinë për të përcaktuar vijat e politikës së saj të jashtme, në fakt në bashkëpunim me Rusinë dhe jo me BE-në, është një mesazh i qartë që Serbia nuk është e interesuar që të kontribuojë për paqe dhe stabilitet në rajon, apo të anëtarësohet në BE.
“Përkundër veprimeve të tyre, ne si Republikë e Kosovës po tregojmë vazhdimisht konstruktivitet, angazhim pozitiv dhe po fokusohemi që i gjithë dialogu me Serbinë, i ndërmjetësuar nga BE dhe i përkrahur fuqishëm nga SHBA, të jetë një proces që i kontribuon paqes afatgjate në rajonin tonë dhe që natyrisht është i përqendruar në njohje reciproke”, tha Osmani në “Zërin e Amerikës”.