FC Shkupi dhe FC Ballkani do të përballen të enjten në kuadër të play – off- it në Ligën e Konferencës për ta kërkuar një vend në fazën e grupeve.
Stadiumi nacional i Maqedonisë së Veriut, “Todor Proeski” do të jetë nikoqir i dy skuadrave shqiptare me një ndeshje që është jetike për të dy skuadrat.
Një gjë e kanë të sigurt tifozët shqiptar që një skuadër shqiptare do të jetë pjesë e grupeve të Ligës së Konferencës.
Më 18 gusht do të luhet ndeshja e parë, me FC Shkupin që janë nikoqirë të FC Ballkanit, kurse më 25 gusht në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë edhe zyrtarisht do mësohet zyrtarisht se cila skuadër do ta shkruaj historinë duke u kualifikuar në Ligën e Konferencës.
Analisti i futbollit, Genc Sermaxhaj thotë për Gazetën Enigma se distanca më e shkurt e udhëtimit për Ballkanin për dallim nga ndeshjet tjera është gjë pozitive pasi i kursen energji dhe do të jenë më të pushueshëm për ndehsjen ndaj FC Shkupit.
“Sigurisht që distanca më e shkurtër e udhëtimit është një lehtësim për Ballkanin sepse është më afër dhe lojtarët nuk shpenzojnë energji të panevojshme në pritje të aeroporteve dhe fluturimeve të gjata, pra afërsia mund të jetë një pushim më i mirë e më komod për Ballkanin”, thotë Genc Sermaxhaj për Gazetën Enigma.
Sermaxhaj tregon se si duhet të luajë Ballkani ndaj Shkupit.
“Fitorja njërin ekip e dërgon në fazën e grupeve, ndaj Ballkani duhet të shfrytëzoj racionalisht të gjitha veprimet në lojë, dhe të luaj po njësoj me mbajtje të topit. Nuk bën të tërhiqet shumë mbrapa, por të kërkoj shpejt të bëj presion dhe të vazhdoj posedimin e topit. Ka lojtar cilësor dhe ia mundëson një gjë të tillë” tregon ai.
I pyetur se cila skuadër ka ekip më të mirë, Sermaxhaj thotë se skuadra kosovare, FC Ballkani ka skuadër më të mirë se Shkupi.
“Mendoj që Ballkani ka ekip më të mirë se sa Shkupi, dhe shpresoj të kaloj në fazën e grupeve të Ligën e Konferencës”, vlerëson ai.
/GAZETA ENIGMA/