Serwer: Djegia e veturave në veri të Kosovës bëhet me miratimin e Beogradit

<strong>Serwer: Djegia e veturave në veri të Kosovës bëhet me miratimin e Beogradit</strong>

Eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, ka folur për procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe zhvillimet e fundit, pas marrëveshjes së 27 shkurtit dhe takimit të Ohrit më 18 mars.

Profesori në Universitetin “John Hopkins” tha se nuk sheh ndonjë tregues që Vuçiqi do ta nënshkruajë marrëveshjen gjatë takimit të nivelit të lartë që pritet të mbahet më 22 prill.

“Nuk e di nëse do të nënshkruhet. Unë as nuk e di se çfarë është ‘ajo’”.

Ai thotë se Marrëveshja e Brukselit është ajo që ka vërtetë rëndësi.

“Nuk shoh asnjë tregues se Vuçiq është i përgatitur ta nënshkruajë atë. BE-ja të përfshijë kërkesat e marrëveshjes në negociatat për anëtarësim në BE. Kjo do t’i bëjë ato të detyrueshme. Por kjo mund të nënkuptojë një vonesë të gjatë përpara zbatimit”, tha Serwer në një intervistë për Telegrafin..

Serwer thotë që në rast se Vuçiq nuk nënshkruan, BE-ja mund të frenojë bisedimet e anëtarësimit dhe të zvogëlojë ndihmën për ekonominë.

“Serbia nuk ka qenë e gatshme as në të kaluarën. Zbutja e Beogradit ende duket të jetë politikë”, u shpreh Serwer.

Profesori Serwer foli për pikat e Propozimit Evropian, konkretisht AKS-së, dhe theksoi se aty konkretisht nuk përmendet Asociacioni, apo kompetencat ekzekutive për të.

“Nuk e shoh për momentin. Do të dëshiroja që Qeveria e Kosovës të parashtrojë një propozim që do ta konsideronte të pranueshëm për akomodimin e interesave të komuniteteve serbe në përputhje me dy marrëveshjet”, u shpreh ai.

Eksperti amerikan foli edhe për djegien e veturave të serbëve në veri të Kosovës, të cilat janë regjistruar me targa RKS.

Ai tha se “këto veprime nuk ndodhnin pa miratimin e Beogradit, i cili gjithashtu po përpiqet të parandalojë zgjedhjet lokale si dhe shtrirjen e pushtetit të Prishtinës në veri”.

Ndër të tjera tha se te Kurti sheh sinqeritet për normalizim të raporteve por jo edhe te Vuçiqi.

“Nuk ka dyshim për sinqeritetin Kurtit në kërkimin e normalizimit të vërtetë. Por, nuk mund të them të njëjtën gjë për Vuçiqin”, shtoi ai.

Serwer përmendi edhe vendimin e Vuçiqit për mos t’i vënë sanksione Rusisë.

“Dështimi i Serbisë për të zbatuar sanksionet ndaj Rusisë nuk është vërtet i rëndësishëm për Ukrainën, Rusinë, SHBA-në apo BE-në. Por ajo pasqyron diçka që është e rëndësishme: përafrimin e Presidentit Vuçiq me Moskën dhe Pekinin. Të vetmet dy stolat ku ai është ulur janë të tyret”, u shpreh profesori amerikan.

Sa i përket njohjes së Kosovës nga Serbia, Serëer tha se aktualisht nuk sheh ndonjë shenjë, por beson se do të ndodhë në të ardhmen.

“Njohja e Kosovës, është e nevojshme për pavarësinë e Serbisë”, tha Serwer.

Related Articles