Partia Demokratike e Kosovës ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se në kundërshtim me zotimet e saj, sot i hapi rrugë me vota, që të ndahen 11 milionë euro nga buxheti i Kosovës për të paguar rrymën e serbëve në veri të vendit.
Në një konferencë për medie, anëtari i kryesisë së PDK-së, njëherësh Kryetar i Komisonit Parlamentar për Ekonomi, Ferat Shala ka thënë se “me këtë vendim të pushtetit të ri, po dëmtohet direkt buxheti i shtetit, i cili shkon në kurriz të qytetarëve të Kosovës”. Sipas tij, “nuk mundet që e njëjta qeveri e cila para 1 jave i anuloi shtesat prej 30 eurove për pensionistët në mungesë të parave, t’i ndaj sot 11 milionë euro për pagesën e rrymës së serbëve në veri të Kosovës.
“Tashmë të gjithë jeni të informuar për një dëm të madh milionësh që po i bëhet buxhetit të Kosovës, e drejtpërdrejti taksapaguesve të Kosovës. Ky dëm po vjen pikërisht nga deputetët e Vetënvendosjes të cilët votuan në Komisionin Parlamentar për Ekonomi që të ndahen 11 milionë euro për pagesën e rrymës për serbët në veri të Kosovës. Ky është vazhdimi i avazit të qeverisë Kurti 1 kur u patën nda 10 milionë euro për pagesën e rrymës së serbëve në veri.”
Shala më tej ka theksuar se ky vendim vjen pikërisht në në një situatë të rënduar pandemike ku edhe buxheti i familjeve kosovare po varfërohet çdo ditë e më shumë.
“Këto para të ndara nga buxheti i Kosovës fatkeqësisht po e mirëmbajnë krimin në veri të vendit dhe strukturat paralele atje. Si dhe financimin e aktiviteteve të paligjshme dhe kriminale për prodhimin e kriptovalutave ku kohëve të fundit ka një rritje të madhe. Pra, kemi një qeveri dhe parti si Lëvizja Vetëvendosje që nënshtrohen pa kushte ndaj Serbisë e strukturave kriminale atje edhe pse për 20 vjetë e kanë gojën plot kundër Serbisë”, tha ai,.
Shala në fund vijoi me akuzat se ky pushtet para 1 jave ndali shtesat prej 30 euro për pensionistët ndërsa sot mori vendim për t’i ndarë 11 milionë euro për pagesën e rrymës në veri të vendit. Pra qeveria Kurti 1 dhe Qeveria Kurti 2 po ndan në total 21 milionë euro për vitin kalendarik dhjetor 2020 – dhjetor 2021, ka thënë Shala duke nënvizuar se subjekti I tij (PDK) ka kërkuar në Komision Parlamentar për Ekonomi të gjendet një zgjidhje kreative për këtë situatë në mënyrë që të mbretëroj parimi i barazisë së qytetarëve – të paguaj ai që shpenzon, duke bërë të ditur se si Grup Parlamentar kanë nisur mbledhjen e nënshkrimeve për të ftuar në interpelancë Ministren e Ekonomisë.