Sulmuesi me prejardhje shqiptare, Shani Tarashaj e ka mbyllur karrierën si futbollist me vetëm 27 vjet mbi supe, shkaku i problemeve të vazhdueshme me lëndimet dhe shëndetin.
Ish-sulmuesi i Evertonit, Eintracht Frankufrtit, por edhe klubeve zvicerane si Grasshopper e Zurich ka konfirmuar sot pensionimin si futbollist aktiv.
Tarashaj e ka bërë këtë me anë të profilit të tij zyrtar në Instagram, ku përmes një postimi ka treguar se shkak i këtij vendimi janë bërë dëmtimet e shumta dhe problemet shëndetësore.
Djaloshi nga Kosova, i cili ishte edhe reprezentues i Zvicrës ka shkruar një letër të gjatë ku tregon arsyet e pensionimit si dhe falënderon të gjithë për kohën e kaluar.
Letra e plotë e Shani Tarashajt
Të dashur miq të futbollit
Me ndjenja të përziera do të doja të njoftoja se më është dashur të përfundoj karrierën time profesionale në futboll për shkak të disa dëmtimeve dhe sëmundjeve.
Unë jam jashtëzakonisht mirënjohës që, pavarësisht nga shumë pengesa, mund të shikoj prapa në një karrierë plot ngjarje.
Në Grasshopper Club Zurich pata mundësinë të përjetoj një karrierë shumë të larmishme dhe të suksesshme tek të rinjtë dhe të festoj përparimin tim në futbollin profesionist. Lëvizja ime në klubin historik të Ligës Premier, FC Everton, si dhe koha ime me klubin e Bundesligës, Eintracht Frankfurt, nuk do të harrohet. Një tjetër moment kryesor i karrierës sime dhe një nder i madh ishte debutimi im në kombëtaren e Zvicrës dhe pjesëmarrja në Kampionatin Evropian 2016.
Do të doja të përfitoj nga ky rast për të falënderuar të gjithë ish-trajnerët dhe shokët e mi të skuadrës, miqtë e mi, menaxhmentin tim, familjen time dhe veçanërisht prindërit e mi për mbështetjen e tyre ndër vite!
I juaji Shaniu!