Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se qeveria amerikane beson se duhet të ketë Asociacion të komunave me shumicë serbe.
“Nëse e shihni Planin e Ahtisarit, Aneksin 2, ka disa indikacione që diçka e tillë mund të ekzistojë, pastaj në negociatat në Bruksel dhe marrëveshjet e Brukselit është zotimi se diçka e tillë të ekzistojë. Por, ne në bashkësinë ndërkombëtare kurrë nuk e kemi specifikuar se çka saktësisht duhet të jetë; cilat duhet të jenë kompetencat e saj sepse këtë gjë duhet ta përcaktojë qeveria e Kosovës, si dhe ta diskutojë në kontekst të dialogut”.
“Por, dëshiroj të jem i qartë për diçka këtu: kam dëgjuar një numër të zyrtarëve kosovarë duke shprehur shqetësimin se mund të keqpërdoret ose të bëhet diçka si Republika Serbe. Dhe ky është shqetësim shumë i vlefshëm”, ka thënë ambasadori amerikan për Klan Kosova.
“Por, dua të jem i qartë që Shtetet e Bashkuara dhe mendoj edhe të gjithë partnerët tanë pajtohen që asnjë nga ne nuk dëshiron ta shohë diç të tillë. Asnjëri nga ne nuk beson që ky është mekanizëm i përshtatshëm për të arritur objektivat që duam ta shohim Kosovën duke i arritur, që janë shtet shumetnik, demokratik me Kushtetutë funksionale dhe sistem qeverisës funksional.
“Ne besojmë që mund të ketë mekanizma, përfshirë edhe një Asociacion të komunave me shumicë serbe, që nuk e ka atë lloj të autoritetit ekzekutiv, që nuk e prish funksionimin e mirë të qeverisë, por që ua lejon komunave me shumicë serbe dhe udhëheqësve të tyre që t’i bashkërenditin punët me njëri-tjetrin, të konsultohen, të shkëmbejnë praktikat më të mira se si i përmbushin përgjegjësitë e tyre në kontekst të ligjit të Kosovës, në kontekst të Kushtetutës së Kosovës”.
“Pra, do të vazhdojmë të mbajmë qëndrimin e SHBA-së se do të shohim kah qeveria që të përkufizojë se me çka mund të punojë, çka mund të pranojë dhe ne do të bëjmë çka të mundemi duke punuar me Miroslav Lajçakun dhe të tjerët që të përpiqemi të shohim që kjo të jetë – ose që besojmë se është thelbësore që të jetë element i pakos së përgjithshme”, ka thënë Hoveiner.
Ambasadori amerikan shpreson të zbatohet siç duhet udhërrëfyesi për zbatimin e marrëveshjes për energjinë, e nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë.
Ai ka theksuar se kjo është arritja e parë e rëndësishme në dialog brenda disa viteve.
“Dhe ne e konsiderojmë atë të jetë arritje mjaft e rëndësishme. Kjo marrëveshje zgjedh një problem të pazgjidhur. Të gjithë qytetarët, banorë të Kosovës, pa marrë parasysh ku jetojnë, do të paguajnë faturat e energjisë. E vë energjinë elektrike në veri nën mbikëqyrjen e rregullatorit të Kosovës dhe është hap i rëndësishëm përpara që tregon se në fund të fundit, mund të arrihet përparim i rëndësishëm për të dy vendet përmes procesit të dialogut të lehtësuar nga BE-ja, të cilin ne e mbështesim fuqimisht”.
“Pra, ne lëshuam një deklaratë pak pas arritjes së marrëveshjes, duke shprehur mbështetjen tonë të fuqishme, që jemi shumë të kënaqur që është arritur dhe do të nxisë përparim të mëtejmë në dialog”, ka thënë Hovenier.
“Por, unë do të thosha se ne vazhdojmë të besojmë se dialogu është prioritet i rëndësishëm. Dëshirojmë të shohim Kosovën të integruar në strukturat evropiane dhe euroatlantike. Ne besojmë fuqishëm se dialogu është mënyrë e rëndësishme për të arritur këtë dhe besojmë që Kosova mund të marrë pjesë në mënyrë aktive, konstruktive në dialog dhe të arrijë përparim domethënës për Kosovën pa i sakrifikuar gjërat që nuk janë të negociueshme”, tha ai.