Një aeroplan luftarak amerikan ka qëlluar mbi dy cisterna nafte të zbrazëta me flamur iranian që po lëviznin drejt Ngushticës së Hormuzit.
Sipas CNN, Komanda Qendrore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (CENTCOM), e cila udhëheq forcat amerikane në Lindjen e Mesme, njoftoi se një aeroplan luftarak F/A-18 Super Hornet ka ndërmarrë veprime kundër anijeve iraniane në rajon.
Ndërkohë, agjencia iraniane e lajmeve Fars ka raportuar për përplasje mes forcave detare amerikane dhe ushtrisë iraniane në Ngushticën e Hormuzit, një zonë strategjike dhe shumë e ndjeshme për transportin global të naftës.
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet si një nga rrugët më të rëndësishme të furnizimit me naftë në botë, ndërsa çdo përshkallëzim i situatës në këtë zonë ka ndikim të drejtpërdrejtë në tregjet ndërkombëtare të energjisë.
Tensionet mes Iranit dhe ShBA-së, janë rritur sërish pas një serie incidentesh përreth Ngushticës së famshme të Hormuzit.
