SHBA-Iran, vijojnë negociatat: Teherani merr përgjigjen e Uashingtonit për planin 7-ditor

SHBA-Iran, vijojnë negociatat: Teherani merr përgjigjen e Uashingtonit për planin 7-ditor

Pavarësisht klimës pesimiste për arritjen e një marrëveshjeje, Shtetet e Bashkuara dhe Irani po vijojnë kontaktet diplomatike për gjetjen e një kompromisi. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, dhe ekipi i tij u takuan të martën në mbrëmje në Doha me ndërmjetësuesit e Katarit, ku morën përgjigjen e Uashingtonit për propozimin shtatëditor të Teheranit. Sipas burimeve të informuara, Araghchi pritet ta diskutojë përgjigjen amerikane në Teheran të mërkurën. Mosmarrëveshja kryesore mes palëve lidhet me rendin e zbatimit të hapave të marrëveshjes dhe garancitë që do të jepen, ndërsa negociatat kanë hyrë në fazën e diskutimit se cila palë duhet të bëjë lëvizjen e parë.

Plani shtatëditor i propozuar nga Irani synon ndërtimin e besimit dhe përfshin edhe hapa për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit. Megjithatë, një burim i lartë i tha Al-Arabiya/Al-Hadath se dokumenti kërkon “ndryshime themelore” përpara se të ketë përparim konkret.

Katari, i cili po ndërmjetëson kontaktet, shprehu shpresën për rezultate të prekshme. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Katarit, Majid al-Ansari, tha se po vijojnë takimet dhe shkëmbimi i mesazheve mes palëve për të gjetur terren të përbashkët.

Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka mohuar raportet se Uashingtoni është gati të lehtësojë sanksionet ndaj Iranit ose të zhbllokojë fondet iraniane në këmbim të lëshimeve për programin bërthamor. “Kjo nuk është e vërtetë. Unë nuk u kam ofruar asgjë”, deklaroi Trump. Në Teheran, Garda Revolucionare e ka cilësuar Trumpin “gënjeshtar”, ndërsa Mohsen Rezaei tha se Irani i ka komunikuar SHBA-së kushtet e tij, duke pretenduar se presidenti amerikan nuk është në gjendje të marrë vendime.

Bisedimet mes Uashingtonit dhe Teheranit vijojnë, ndërsa palët ende nuk kanë arritur një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit që ka hyrë në muajin e tetë.

Related Articles