ShBA-ja del kundër Izraelit: E kundërshtojmë fuqishëm zgjerimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor

ShBA-ja del kundër Izraelit: E kundërshtojmë fuqishëm zgjerimin e vendbanimeve në Bregun Perëndimor

Shtetet e Bashkuara të martën thanë se i kundërshtojnë fuqishëm planet e Izraelit për zgjerimin e vendbanimeve hebreje në Bregun e Pushtuar Perëndimor, duke i cilësuar ato si të dëmshme për perspektivën e paqen mes izraelitëve e palestinezëve. Kjo ishte kritika më e ashpër e administratës së Bidenit ndaj politikave izraelite të vendbanimeve deri më tani.

“Ne jemi thellësisht të shqetësuar rreth planit të qeverisë izraelite për avancimin e mijëra njësive të banimit nesër, të mërkurën, shumë prej tyre thellë në Bregun Perëndimor”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, në një konferencë për gazetarë.

“Ne e kundërshtojmë fuqishëm zgjerimin e vendbanimeve, që është tërësisht në shpërputhje me përpjekjet për uljen e tensioneve dhe për sigurimin e qetësisë dhe kjo e dëmton perspektivën për zgjidhjen me dy shtete”, tha Price.

Ambasada e Izraelit në Uashington nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.

Izraeli të dielën publikoi tenderë për rreth 1.300 shtëpi banimi në Bregun e pushtuar Perëndimor dhe autoritetet pritet që gjithashtu të diskutojnë për propozimet për 3.000 shtëpi të tjera.

Uashingtoni po vazhdon që t’i ngrejë pikëpamjet e veta për këtë çështje drejtpërdrejt me zyrtarë të lartë izraelitë, tha Price.

Bisedimet e paqes mes Izraelit dhe Palestinezëve, të përkrahura nga Shtetet e Bashkuara, dështuan në vitin 2014. Shumica e shteteve i cilësojnë të paligjshme vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor. Izraeli e hedh poshtë këtë.

Veprimet izraelite për vendbanime janë burim i mosmarrëveshjes mes Izraelit e Uashingtonit, bashkë me përpjekjet e ShBA-së për ringjalljen e marrëveshjes ndërkombëtare bërthamore me Iranin, armik i Izraelit.

Që nga ardhja në pushtet e Presidentit Biden në janar, zyrtarët amerikanë kanë theksuar se e kundërshtojnë zgjerimin e mëtejmë të vendbanimeve hebreje në tokën e pushtuar, të cilën palestinezët e duan pjesë të shtetit të tyre të ardhshëm.

Një zyrtar i lartë i administratës së Bidenit këtë muaj tha se Izraeli është i vetëdijshëm për qëndrimin e administratës për nevojën që të ketë vetëpërmbajtje nga veprimet që mund të shihen si provokuese dhe që i minojnë përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje me dy shtete mes Izraelit e palestinezëve.

Kryeministri i Izraelit, Naftali Bennett, deri të dielën kryesisht është përmbajtur nga paraqitja e njoftimeve për ndërtimin e vendbanimeve të reja që nga ardhja në pushtet në qershor, në përpjekje për t’i ulur tensionet me Uashingtonin./Gazeta Enigma.

Related Articles