Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, tha se anulimi i pjesëmarrjes së Kosovës në stërvitjet Defender Europe 2023, është pasoja e parë për Qeverinë e Kosovës, që ka refuzuar thirrjet e Washingtonit që të shtensionojë situatën në veri.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, kishte paralajmëruar më 26 maj se veprimet e Qeverisë së Kosovës në komunat veriore, do të rezultojnë me pasoja në raportet dypalëshe.
“Treguesi i parë i kësaj ishte vendimi që u mor natën e shkuar nga komandanti amerikan për Evropën për të anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në Defender Europe 2023, gjë që ndodhi gjatë natës”, tha Hovenier.
“Për Kosovën këto stërvitje kanë përfunduar”, shtoi ai.
SHBA-ja ka kritikuar Qeverinë e Kosovës, duke thënë se më 26 maj, kryetarët e rinj shqiptarë në komunat veriore “hynë me forcë” në ndërtesat komunale në veri.
Hovenier tha se SHBA-ja po mendon edhe për vendime të tjera që do të marrë në këtë drejtim.
“Ne i kemi kërkuar [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurti për të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të shtensionuar situatën në veri. Ai nuk u është përgjigjur këtyre kërkesave. Prandaj, ne po shqyrtojmë se çfarë do të jenë veprimet tona të tjera”, tha ai.
Hovenier, ka thënë në një takim me disa gazetarë në Prishtinë, se Qeveria e Kosovës nuk është koordinuar me Shtetet e Bashkuara për veprimet e ndërmarra të premten.
Atë ditë, kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri të Kosovës, kanë hyrë, me ndihmën e Policisë së Kosovës, në ndërtesat komunale.
Komunat, Zubin Potok, Leposaviq, dhe Zveçan, janë të banuara me shumicë serbe, dhe banorët lokalë atje kundërshtojnë hyrjen e kryetarëve të rinj nëpër ndërtesa, të cilat funksionojnë sipas sistemit serb.
“Kur kemi marrë vesh, kemi reaguar ashpër kundër. Vendimi ka pasur ndikim negativ në reputacionin e Kosovës, dhe i ka kthyer mbrapsht përpjekjet drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”.