Gazetarët, cak i sulmeve në veri – shteti po dështon në mbrojten e tyre

Gazetarët, cak i sulmeve në veri – shteti po dështon në mbrojten e tyre

Rastet kur gazetarët duhet të raportojnë në vende me rrezikshmëri të lartë, nuk janë të pakta. Kështu, edhe ekipe gazetarësh nga thuajse të gjitha mediat vendore, i’u desh të nisen për veri, për të përcjellë nga afër dhe raportuar mbi gjendjen e tensionuar atje. Përderisa rritet numri i raportimeve për sulme ndaj gazetarëve, institucionet nuk kanë ofruar ndonjë strategji për të mbrojtur gazetarët ndaj sulmeve të tilla, shkruan Gazeta Enigma.

Një grumbull i konsiderueshëm të protestuesve, mbanin kordonin policor e trupat e KFOR-it të “thyejnë” barrikadat e krijuara nga serbët e veriut të Kosovës, në tentativën për t’i ndaluar që kryetarët e rijnë të komunave veriore(Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq) të mos hyjnë brenda objekteve komunale, pasiqë sipas të cilëve, ata “nuk e kanë vendin aty”.

Në gjendjen e tensionuar e sipër, sulmet ndaj gazetarëve ishin të shumta. Nuk munguan shok-bombat, grafitet me simbole sllavo-ruse e as plumbat e djegiet e veturave të ekipeve mediale.

Ndër rastet e para, ku u tentua të ndalet raportimi i ngjarjeve në veri, është vandalizimi i  veturës së mediumit Top Channel.

Me këtë veturë me të cilën po udhëtonin katër gazetarë të medieve të ndryshme në Zvecan, është vandalizuar me sloganin nacionalist, si dhe me qëllimin që të mos mund ta ngasin më tej.

Pak më vonë, u raportua për tentim sulmi ndaj një gazetari, të cilit i ishte shqyer bluza nga dy persona të maskuar, por fatmirësisht, nga rasti nuk kishte të lënduar.

Gjersa ishin duke filmuar arritjen e trupave të KFOR-it në Zveçan, ekipi i gazetarëve të Papirusit, u sulmua nga tre persona të maskuar, të cilët i’a rrëzuan kamerën dhe dëgjohet duke i thënë të mos filmojnë

Në Zubin Potok, ekipi i Tëvë 1 u sulmua ku i janë thyer xhamat dhe shpërthyer gomat e veturës, e më pastaj edhe i është vënë flaka.

Në situatë edhe më të rrezikshme, u përball edhe ekipi i raportuesve të Syri TV, vetura e të cilëve u godit nga një plumb.

Në një situatë të vështirë, u përballë edhe kryetari i Asociacionit të Kosovës, gazetari Xhemajl Rexha, i cili së bashku me dhjetëra gazetarë nga mediume të ndryshme, u ngujuan në një kafiteri në Zvecan, afër ndërtesës së Komunës, pasi raportimi në vendin e ngjarjes ishte bërë i pamundshëm pas situatës së tensionuar, ku protestuesit po përlesheshin me trupat e KFOR-it, ku prej secilës anë, kishte të lënduar.

Gazetari Rexha në një linjë direkte dje nga vendi ku ishin ngujuar, raportonte se trupat e KFOR-it nuk po i mbronin gazetarët dhe as nuk po tentonin të punonin në atë drejtim.

Për gjitha këto, reagoi Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, ku u bë thirrje edhe nga organet kompetente që të maksimalizohet siguria e gazetarëve.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është tejet i shqetësuar me situatën e krijuar për mediet dhe gazetarët, të cilët po raportojnë nga këto komuna, andaj kërkon nga kolegët që të kenë kujdes të shtuar gjatë raportimit. Njëherësh, AGK-ja, rekomandon që kolegët t’i dëgjojnë rekomandimet e zyrtarëve të Policisë së Kosovës që janë prezent atje. AGK-ja, gjithashtu kërkon nga NATO dhe EULEX, që të sigurojnë gazetarët, si dhe t’u mundësojnë të raportojnë pa u penguar.”, thuhej në secilin reagim të AGK-së ndaj sulmeve të gazetarëve

Mungesa e sigurisë ndaj gazetarëve, ishte e theksuar dhe për këtë u raportua edhe nga Qendra Europiane e Lirisë së Shtypit.

“Shprehim shqetësim të madh ndaj mungesës së sigurisë së gazetarëve. Bëjmë thirrje ndaj Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Kosovës të marrin masa sigurie ndaj gazetarëve dhe punëtorëve medial që po raportojnë nga veriu i Kosovës dhe vendeve tjera ku tensionet janë të larta.” thuhet në komunikatë.

Për situatën e krijuar, reagoi edhe ambasadori i Bashkimit Europian në Kosovë, Tomas Szunyog.

“Bashkimi Europian dënon sulmet ku u djegën veturat e ekipit Kallxo dhe Dukagjini. Edhe pse situata në veri vazhdon të jetë e tensionuar, gazetarëve duhet mundësuar të punojnë pa pasur frikë për jetën e tyrë.” përfundoi ai.

Analisti, Imer Mushkolaj pas rasteve të fundit ku është raportuar për pengim të punës së gazetarëve gjatë raportimeve në veri ka thënë se shteti duhet t’i sigurojë gazetarët në atë pjesë dhe se sulmet ndaj tyre nuk duhet toleruar.

“Gazetarët duhet të mbrohen. Shteti duhet t’i sigurojë gazetarët në veri. Sulmet ndaj tyre nuk duhet toleruar”, ka shkruar Mushkolaj në Facebook.

Për situatën dhe rrezikshmërinë e lartë ndaj gazetarëve që po raportonin nga veriu, reagoi edhe juristja e së drejtës së mediave, Flutura Kusari.

Kusari shtroi pikëpyetje rreth sigurisë së gazetarëve me pyetjet se si PK nuk ka ndërmarrur hapa rreth sigurisë së gazetarëve, duke mos u përcaktuar perimetri i sigurisë, dhe as ndonjë veprim rreth përmbushjës së standardeve të Këshillit të Europës sipas Rekomandimit 2016 për Sigurinë e Gazetarëve.

Rreth sigurisë së gazetarëve në veri, reagoi edhe analisti i njohur, Rron Gjinovci.

Gjinovci theksoi mungesën e uniformave identifikuese të gazetarëve, si  helmetat  e jelekët, por edhe bëri thirrje për trajnimin e gazetarëve rreth raportimit në vende ku ka tensione të mëdha.

Në statistikat kredibile të publikuara nga AGK, e cila gjithmonë është në përditësim e sipër, vetëm në vitin 2023, janë 27 raste ku janë bërë sulme ndaj gazetarëve. Numër dukshëm më i madh se viteve tjera, sidomos pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit. E gjitha kjo kur dihet se ende jemi në gjysmë të vitit.

2015 – 15 raste

2016 – 15 raste

2017 – 24 raste

2018 – 17 raste

2019 – 21 raste

2020 – 24 raste

2021 – 29 raste

2022 – 33 raste

2023 – 27 raste.

Edhe përgjatë këtij momenti, sulmet ndaj gazetarëve po vazhdojnë të shtohen, si pasojë e situatës së tensionuar në veri. /Gazeta Enigma/

Related Articles