Shtetet e Bashkuara e kanë miratuar dërgimin e aeroplanëve luftarakë F-16 në Ukrainë nga Danimarka dhe Holanda për t’u mbrojtur nga pushtuesit rusë porsa të përfundojë trajnimi i pilotëve, tha të enjten një zyrtar amerikan.
Uashingtoni u ka dhënë garanci zyrtare Danimarkës dhe Holandës se ShBA-ja do ta përshpejtojë miratimin e kërkesave për transferim të aeroplanëve F-16 që ata të dërgohen në Ukrainë, kur pilotët të trajnohen, tha ky zyrtar, raporton agjencia “Reuters”.
“Ne e mirëpresim vendimin e Uashingtonit për ta shtruar rrugën për dërgimin e aeroplanëve luftarakë F-16 në Ukrainë. Tani, ne do ta diskutojmë temën më tej me partnerët tanë evropianë”- tha në rrjete sociale ministri i Jashtëm i Holandës, Wopke Hoekstra.
Danimarka dhe Holanda kishin kërkuar rishtazi garanci të tilla. Shtetet e Bashkuara duhet ta miratojnë dërgimin e aeroplanëve luftarakë nga aleatët në Ukrainë.
Lufta në Ukrainë / Trajnimi i pilotëve ukrainas me avionë luftarakë F-16 do të fillojë në gusht, thonë zyrtarët
Një koalicion prej 11 shtetesh pritet që ta fillojë trajnimin e pilotëve ukrainas për drejtimin e aeroplanëve luftarakë F-16 këtë muaj në Danimarkë. Ministri i Mbrojtjes në detyrë i Danimarkës, Troels Poulsen, tha muajin e kaluar se vendi i tij shpreson që të shohë rezultate nga trajnimi në fillim të vitit të ardhshëm.
Kryeministri holandez, Mark Rutte, tha në maj se Holanda ishte duke e shqyrtuar seriozisht mundësinë e dërgimit të aeroplanëve F-16 në Ukrainë, pasi ajo vetë është duke i nxjerrë nga përdorimi.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Mbrojtjes të Holandës, ky shtet tash për tash ka 24 aeroplanë F-16 në gjendje operimi, të cilët do të largohen nga përdorimi nga mesi i vitit 2024. 18 aeroplanë të tjerë tani janë për shitje.