SHBA-ja ka njoftuar të mërkurën se po vendos sanksione ndaj Francesca Albanese, raportueses speciale të Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut në territoret e pushtuara palestineze, e cila ka qenë shumë kritike ndaj luftës së aleatit të SHBA-së, Izraelit, në Gazë.
“Sot po vendos sanksione ndaj raportueses Speciale të Këshillit të të Drejtave të Njeriut të OKB-së, Francesca Albanese, për përpjekjet e saj të paligjshme dhe të turpshme për të nxitur veprime (në Gjykatën Ndërkombëtare Penale) kundër zyrtarëve, kompanive dhe drejtuesve amerikanë dhe izraelitë”, ka thënë sekretari i Shtetit, Marco Rubio në një deklaratë.
Në një postim në X vonë të mërkurën, Albanese ka shkruar se ajo qëndron “vendosmërisht dhe bindshëm në anën e drejtësisë, siç kam bërë gjithmonë”, pa përmendur drejtpërdrejt sanksionet e SHBA-së, raporton Reuters.
Ndërkaq, në një mesazh me tekst për Al Jazeeran, ajo u citua të ketë hedhur poshtë veprimin e SHBA-së si “teknikë frikësimi në stilin mafioz”.
Albanese, një avokate dhe akademike italiane, u ka bërë thirrje shteteve në Këshillin e të Drejtave të Njeriut të OKB-së të vendosin një embargo armësh dhe të ndërpresin lidhjet tregtare dhe financiare me Izraelin, ndërsa akuzon aleatin e SHBA-së për kryerjen e një “fushate gjenocidale” në Gazë.
Izraeli është përballur me akuza për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë dhe për krime lufte në Gjykatën Ndërkombëtare Penale për shkak të sulmit të tij shkatërrues ushtarak në Gazë.
Izraeli i mohon akuzat dhe thotë se fushata e tij përbën vetëmbrojtje pas një sulmi vdekjeprurës të Hamasit në tetor 2023.
Në një raport të publikuar më parë këtë muaj, Albanese ka akuzuar mbi 60 kompani, përfshirë prodhues të mëdhenj armësh dhe firma teknologjike, për përfshirje në mbështetjen e vendbanimeve izraelite dhe veprimeve ushtarake në Gazë. Raporti u bënte thirrje kompanive të ndërpresin marrëdhëniet me Izraelin dhe të kërkojnë përgjegjësi ligjore për drejtuesit e përfshirë në shkelje të dyshuara të së drejtës ndërkombëtare.