Ministrat e grupit të 20 vendeve vazhdojnë të diskutojnë luftën në Ukrainë, me vendet perëndimore dhe aleatët e tyre që dënojnë Rusinë dhe u bëjnë thirrje vendeve të tjera të ndjekin shembullin.
India është një nga aleatët kryesorë të SHBA-së që vazhdimisht është përmbajtur nga dënimi i drejtpërdrejtë i Rusisë, por iu bashkua SHBA-së, Australisë dhe Japonisë duke i quajtur të papranueshme kërcënimet bërthamore të presidentit rus Vladimir Putin. Një diplomat i lartë rus në Kombet e Bashkuara paralajmëroi se rritja e mbështetjes perëndimore për Ukrainën mund të rezultojë në një përplasje të hapur midis fuqive bërthamore.
Ndërkohë, strategët ushtarakë janë gjithnjë e më të dyshimtë për suksesin ukrainas në luftën e përgjakshme për qytetin lindor të Bakhmut, i cili tashmë është shkatërruar plotësisht. Udhëheqësi i Wagner-it, Yevgeny Prigozhin, pretendon se forcat ruse kanë “rrethuar praktikisht” Bakhmutin.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken njoftoi një paketë të re ndihme sigurie për Ukrainën me vlerë 400 milionë dollarë.
Ndihma, kësti i 33-të i tillë, përfshin më shumë municione për HIMARS-të dhe obuset e ofruara nga SHBA-ja, si dhe municione për automjetet luftarake Bradley dhe municione dhe pajisje për shkatërrim.
“Vetëm Rusia mund t’i japë fund luftës së saj sot. Derisa Rusia ta bëjë këtë, për aq kohë sa të duhet, ne do të qëndrojmë të bashkuar me Ukrainën dhe do të forcojmë ushtrinë e saj në fushën e betejës, në mënyrë që Ukraina të jetë në pozicionin më të fortë të mundshëm në tryezën e bisedimeve”, shkroi Blinken në një deklaratë.