Shtëpia e Bardhë deklaroi të enjten se bisedimet e fundit për një armëpushim në Rripin e Gazës, që u mbajtën në Doha të Katarit, me zyrtarë të lartë të Shteteve të Bashkuara kanë nisur me një “fillim premtues”, por se mbyllja e një marrëveshjeje menjëherë dukej e pamundur.
“Sot ishte një fillim premtues”, u tha gazetarëve zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, John Kirby. “Ka ende shumë punë për të bërë. Duke pasur parasysh natyrën komplekse të marrëveshjes, ne nuk parashikojmë të dalim nga këto bisedime sot me një marrëveshje”, shtoi ai.
Bisedimet pritet të vazhdojnë deri të premten. Drejtori i CIA-s, William Burns, po merr pjesë në këto bisedime.
Negociatorët nga Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari u takuan me një delegacion nga Izraeli. Hamasi tha të mërkurën se nuk do të marrë pjesë në bisedime, por përfaqësuesit e tij mund të takohen më vonë me ndërmjetësit, njoftoi agjencia e lajmeve Reuters.
Zyrtarët shëndetësorë palestinezë në Rripin e Gazës thonë se mbi 40,000 njerëz janë vrarë në operacionet ushtarake të Izraelit, që filluan pas vrasjes nga Hamasi të 1,200 njerëzve dhe rrëmbimit të 250 të tjerëve në një sulm më 7 tetor të vitit të kaluar në Izrael. Militantët e Hamasit ende po mbajnë 100 pengje.
Zyrtarët palestinezë thonë se viktimat e luftës janë kryesisht gra dhe fëmijë, ndërsa Izraeli thotë se shumica e tyre janë militantë të Hamasit.
“Pengesat e mbetura mund të kapërcehen dhe ne duhet ta mbyllim këtë proces”, tha zoti Kirby. “Ne duhet të shohim lirimin e pengjeve, lehtësimin e gjendjes për civilët palestinezë në Gazë, siguri për Izraelin dhe ulje të tensioneve në rajon. Këto gjëra duhet të realizohen sa më shpejt që të jetë e mundur.”
Pa specifikuar detajet, zoti Kirby tha se negociatat kanë të bëjnë kryesisht me zbatimin tani që korniza marrëveshjes është pranuar gjerësisht.
Bisedimet janë të rëndësishme pasi përveç luftimeve të vazhdueshme në Rripin e Gazës dhe në Bregun Perëndimor, ka patur një intensifikim edhe të luftimeve mes ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut në kufirin Izrael-Liban. Transporti tregtar në Detin e Kuq vazhdon të jetë në shënjestër të sulmeve të luftëtarëve të grupit Houthi me bazë në Jemen dhe Irani ka kërcënuar me hakmarrje kundër Izraelit për vrasjen e udhëheqësit të Hamasit Ismail Haniyeh në Teheran muajin e kaluar. Ndonësi Izraeli nuk ka marrë përgjegjësinë për vrasjen, Irani dhe grupet e mbështetura nga Teherani kanë fajësuar izraelin për vrasjen e udhëheqësit të Hamasit Ismail Haniyeh.
Edhe një komandant i lartë ushtarak i Hezbollahut u vra së fundmi në një sulm ajror izraelit në Bejrut.
Tre zyrtarë të lartë iranianë kanë thënë se një marrëveshje armëpushimi në Rripin e Gazës do të ishte e vetmja gjë që do të frenonte hakmarrjen për vrasjen e drejtuesit të Hamasit, njoftoi agjencia e lajmeve Reuters.
Plani që po diskutohet në Doha filloi si një “propozim” me tre faza për arritjen e një armëpushimi, i paraqitur nga Presidenti amerikan Joe Biden më 31 maj. Propozimi kërkon një armëpushim gjashtë-javor, tërheqjen e trupave izraelite nga zonat e populluara në Gazë dhe lirimin e grave, të moshuarve dhe pengjeve të plagosur në këmbim të të burgosurve palestinezë. Ndihma humanitare do të rritet dhe palestinezët do të mund të ktheheshin në shtëpitë e tyre, sipas këtij propozimi.