Konfliktet në trafik janë goxha të shpeshta në vendin tonë dhe jo rrallëherë eskalojnë në kërcënime serioze e përleshje fizike, për çka nevojitet edhe ndërhyrja e Policisë. Në shumicën e këtyre rasteve, mollë sherri bëhen shkeljet e rregullave të komunikacionit, duke i shtyrë kështu shoferët të përfshihen në rrahje.
Një zënkë mes dy personave ka ndodhur mesditën e djeshme në fshatin Drekoc të Shtërpcës, pasi ata u përfshinë në një aksident trafiku.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me dije se pas përplasjes, shoferi 37-vjeçar dyshohet se ka tentuar që ta nxjerrë me forcë nga vetura e tij viktimën.
Si rrjedhojë e veprimeve të dhunshme të të dyshuarit, viktima ka denoncuar rastin në Polici.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë arrestuar të dyshuarin dhe i njëjti është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit, 37-vjeçari është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Lëndim i lehtë trupor’.