Shevchenko iu bën thirrje rusëve: Ngriteni zërin dhe ndaleni luftën, po vdesin njerëz pa arsye

Shevchenko iu bën thirrje rusëve: Ngriteni zërin dhe ndaleni luftën, po vdesin njerëz pa arsye

Andriy Shevchenko është mjaft i shqetësuar me luftën që po ndodh në Ukrainë.

Legjenda e futbollit të këtij vendi ka folur për “Sky Sport” për gjendjen e luftës në atdheun e tij.

Trajneri ukrainas ndihet i brengosur për popullin e tij, por edhe për familjen e tij.

“Me iniciativë të ‘Play Your Part’ objektiv është që të mbledhim para dhe t’i ndihmojmë gratë dhe fëmijët që po largohen nga lufta. Objektiv tjetër është që t’i ndihmojmë ata që kanë mbetur në Ukrainë. Janë shumë qytete ku mungon ushqimi, uji, medikamentet. Unë jam gjithmonë në kontakt me spitalet pediatrike. Situata është mjaft e vështirë. Duam t’i ndihmojmë sa më shpejt të jetë e mundur njerëzit e mbetur në Ukrainë dhe ata që po largohen. Dua a falënderoj popullin italian për krejt atë që po ndodh në vendin tim”, deklaroi fillimisht Shevchenko.

“Ukrainasit kanë nevojë ta dinë se nuk janë të lënë anash, ta dinë se bota është afër tyre. Populli im është duke i ruajtur të drejtat e tij, zgjedhja e saj është të jetë i lirë. Jemi duke e mbrojtur vendin tonë dhe shtëpinë tonë”, vazhdoi trajneri ukrainas.

“Nëna ime është ende në Ukrainë me motrën time. Po mundohem t’i ndihmoj ato. Një nga miqtë e mi në Angli e ka shprehur gatishmërinë që t’i presë 150 fëmijë dhe gra. Jam i gatshëm t’i pres disa familje në shtëpinë time. Jemi duke mbledhur para për t’i dërguar për ilaçe në Ukrainë. Shumë futbollistë ukrainas janë duke bërë iniciativa të ndryshme”, nënvizoi Sheva, përcjell “Gazeta Express”.

“Madje, njoh edhe shumë sportistë që kanë zgjedhur të luftojnë. Secili e ka zgjedhur mënyrën e tij të luftimit. Unë e kam zgjedhur një tjetër rrugë në tentim për ta mbrojtur vendin tim. Të flas sa më shumë, të mundohem të ndihmoj dhe të grumbulloj fonde, të flas për refugjatët. Ky është pozicionimi im për ta luftuar këtë moment”, thotë Shevchenko.

“Një mesazh për personat rusë: të gjithë ata që janë kundër luftës, dilni jashtë, flisni dhe ngriteni zërin. Mundohuni ta ndalni këtë luftë. Bëni gjithçka për ta gjetur paqen. Ka persona, gra e fëmijë që po vdesin pa një arsye”, përfundoi Shevchenko.

Related Articles