Një nga futbollistët më të mirë në Ukrainë të të gjitha kohërave, Andrei Shevchenko, vendosi të hapë derën e shtëpisë së tij dhe të ndihmojë ata që kanë nevojë për strehim për shkak të pushtimit të Rusisë ndaj vendit të tij dhe numrit në rritje të refugjatëve.
Sipas ITV, ish-asi i Dynamo Kiev, Milan dhe Chelsea ka vendosur të pranojë në shtëpinë e tyre fëmijë nga Ukraina që nuk kanë çati mbi kokë dhe rreth 150 prej tyre do të përpiqen të gjejnë strehim.
Shevchenko, i cili kaloi pes vite si trajner i Ukrainës dhe dy muaj në stolin e Genovas, falënderoi nga zemra britanikët për mbështetjen e dhënë.
“Lufta është shumë mizore, është e vështirë të shohësh qytete që janë shkatërruar dhe njerëz që po vdesin”, tha Shevchenko në një nga fjalimet e tij për ITV dhe shtoi:
“Unë jam baba i katër fëmijëve dhe e kam të vështirë kur shoh që vriten fëmijë, që bien bomba në spitalet e fëmijëve, këtë nuk mund ta kuptoj. Nuk mund të kuptoj asnjë person në botë që e mbron këtë. Unë po përpiqem të mbështes vendin tim, po përpiqem të tërheq vëmendjen, jam përpjekur të them se çfarë po ndodh realisht dhe të prek zemrat e njerëzve që do të kuptojnë rrethanat. Gjithashtu, po përpiqem të mbledh ndihma humanitare dhe të ndihmoj vendin tim, popullin tim, refugjatët”.
Shevchenko shpjegoi se si do të ndihmonte.
“Prisja rregullat e qeverisë dhe tani është e qartë. Kam bashkëpunuar me ambasadoren e Ukrainës dhe kam disa miq dhe do të kujdesemi për 150 refugjatë dhe do t’u sigurojmë strehim. disa fëmijë do të jenë në shtëpinë time. Unë nuk mendoj se ka një vend në Ukrainë ku ju jeni të sigurt. Nuk mund ta besoj, gjithçka është si një ëndërr e shëmtuar”.