Greqia ka regjistruar përsëri një shifër rekord infektimesh të cilat janë dyfishuar thuajse brenda 24 orëve të fundit.
Kështu sipas autoriteteve mjekësore, numri i rasteve ditore sot ka shkuar në 50 mijë e 126. Mbi 20 mijë janë regjistruar në Atikë, mbi 5,400 në Selanik. Gjithashtu numri i vdekjeve mbetet ende i lartë 61, si dhe numri i të intubuarve që ka shkuar në 619.
Varianti Omicron sipas specialistëve është i pandalshëm dhe ata nuk përjashtojnë një rritje të re dhe të shpejtë të rasteve, të paktën derisa masat kufizuese të funksionojnë.
Tre javë më parë, më 14 dhjetor, indeksi i pozitivitetit ishte 1%, ku në 100 teste, të shpejta apo molekulare PCR, një rezultoi pozitiv.
Një javë më parë, në 30 dhjetor, indeksi i pozitivitetit ishte 8%. Pra thuajse një në dhjetë persona doli pozitiv, raporton TCH.
Sot indeksi i pozitivitetit arrin në 25%, pra një në katër të testuar rezulton pozitiv.
Është kjo përhapje që do të testojë qëndrueshmërinë e sistemit shëndetësor, sipas specialistëve që gjithsesi janë të dyzuar për hapjen ose jo të shkollave në datën 10 janar. / Gazeta Enigma.