Shkarkimi nga presidentja, Daka: Nesër do të dërgoj kërkesë te Avokati i Popullit

Shkarkimi nga presidentja, Daka: Nesër do të dërgoj kërkesë te Avokati i Popullit

Ish-kryetarja e KQZ-së Valdete Daka ka thënë se nesër do të dërgojë një kërkesë te Avokati i Popullit për ta shqyrtuar shkarkimin e saj nga presidentja në mënyrë që ky institucion më pas të mund t’i drejtohet Gjykatës Kushtetues në emër të saj.

“Sa i përket asaj se në ndonjë mënyrë kërcënova presidenten, përkundrazi nuk jam duke e kërcënuar por jam duke ushtruar të drejtën time ligjore e cila më takon edhe mua si të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. Unë gjatë ditës së nesërme do ta dërgoj një kërkesë te Avokati i Popullit, sepse Kushtetuta nuk ma lejon mundësinë që unë drejtpërdrejt t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese me kërkesë po këtë mund ta bëjë Avokati i Popullit në emër tim”, ka thënë ajo.

Sipas Dakes, deputetët dështuan t’i mbledhin nënshkrimet dhe ta dërgojnë këtë çështje në Gjykatë Kushtetuese në mënyrë të drejtpërdrejtë çka ajo mendon se është për të ardhur keq.

Daka ka thënë se nuk është në pyetje rasti i saj, por është në pyetje një institucion i pavarur dhe është në pyetje që një herë e përgjithmonë të zgjidhet dilema nëse ka të drejtë presidenti/ja që në mënyrë arbitrare të shkarkojë kryesuesin e një organi të pavarur.

Ajo ka theksuar se deputetët si të zgjedhur të popullit kanë obligim që të mbrojnë organet e pavarura dhe se sipas saj për këtë e marrin edhe votën e qytetarëve.

“Ky precedent mund të jetë i rrezikshëm, sepse në të ardhmen mund të vijë një president tjetër dhe të thotë “Nuk po më pëlqen puna e X ose Y personit dhe po e shkarkoj” dhe për këtë duhet që Gjykata Kushtetuese ta japë mendimin e vet dhe të thotë se a ka të drejtë presidenti dhe nëse ka të drejtë në çfarë mënyre.”, ka thënë ajo në Rubikon të Klan Kosovës, përcjellë Gazeta “Enigma”.

Daka ka thënë se kjo dilemë duhet të zgjidhet dhe se askush nuk duhet të ndihet i kërcënuar apo i ofenduar, sepse sipas saj është thjesht çështje kushtetuese.

Related Articles