Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka njoftuar se është shkarkuar nga Shërbimi Civil, avokatja shtetërore me inicialet I.A..
Ai ka thënë se sot kanë pranuar vendimin e Komisionit Disiplinor të kësaj Ministrie për këtë shkarkim.
Sallahu ka deklaruar se avokatja “ka dëmtuar institucionet publike në vazhdimësi duke kryer veprime të paautorizuara”.
“Gjatë ushtrimit të funksionit të saj, Avokatja Shtetërore: Ka lidhur ujdi për lëndë pa autorizimin dhe njoftimin e personave përgjegjës; Ka lidhur ujdi për lëndë të avokatëve të tjerë shtetërorë pa i njoftuar as avokatët e as palët; Nuk ka bërë analiza paraprake për ujditë gjyqësore; Ka lidhur ujdi në vlerë prej 505.000,00 eurosh pa e njoftuar Avokaturën Shtetërore dhe Departamentin e shpronësimit, duke dëmtuar kështu buxhetin e shtetit; Ka mbrojtur në Gjykatë, Shërbimin Korrektues të Kosovës (SHKK) në një rast, në të cilin Gjykata Themelore ka marrë Vendim që ka prodhuar obligime financiare për SHKK, Avokatja në fjalë nuk e ka njoftuar fare institucionin dhe lënda ka përfunduar në përmbarim. Ka pranuar Vendimin për një rast në Ministrinë e Punëve të Brendshme (MPB), për të njëjtin nuk e ka njoftuar MPB-në dhe as nuk ka ushtruar ankesë, duke i krijuar MPB-së obligim financiar prej rreth 7 mijë eurosh. Nuk ka raportuar tek udhëheqësi”, ka shkruar Sallahu në Facebook duke shtuar se “veprime të tilla minojnë dhe cënojnë interesin publik dhe janë të papranueshme”.
Sallahu ka përshëndetur këtë vendim dhe ka shtuar se pret që ky të jetë mësim për ata që “Institucionin publik të vendit tonë e shohin si mundësi për zhvatje e krijimin e përfitimeve të paligjshme vetjake a të palëve të tjera”.
“Pandëshkueshmëria ka qenë sëmundja më e përhapur në institucionet publike për shkak të ish pushtetarëve. Nuk duhet e nuk do të jetë më”, ka përfunduar ai.