Shkarkohet drejtori i ARPL-së për shkelje në licencim të hidrocentraleve

Shkarkohet drejtori i ARPL-së për shkelje në licencim të hidrocentraleve

Drejtori i Autoritetit Rajonal për Pellgje Lumore, Gani Berisha, të martën e ka pasur ditën e fundit të punës në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.



Komisioni Disiplinor i kësaj ministrie ka marrë vendim për largimin e tij nga puna shkaku i shkeljeve të rënda të detyrës zyrtare.

Në vendimin që është ndërmarrë të martën, konstatohen shkeljet që janë bërë gjatë licencimit të hidrocentraleve, si dhe ato për mosarkëtimin e tarifës nga ambalazhuesit e ujit.

Vendimi thotë se lejet ujore për hidrocentrale të lëshuara nga Autoriteti Rajonal i Pellgjeve Lumore janë bërë në kundërshtim me Ligjin për ujëra dhe legjislacionin në fuqi.

“Leje ujore të lëshuara me rekomandim të Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore, për HC ‘Lumbardhi II’, për operatorin ekonomik ‘Kelkos Energjy’, HC ‘Sharri’ për operatorin ekonomik ‘Matkos Group’, HC Bellaja dhe Deçani të KELKOS-it dhe HC Orçusha për operatorin ekonomik ‘Renelual Tahiri’ janë lëshuar në kundërshtim me nenet 78 dhe 79 të Ligjit për ujërat e Kosovës”, thuhet në vendim.

Komisioni ka konstatuar shkelje, siç janë: mosadresimi dhe mospërmbushja e gjetjeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit, mosrespektim të hierarkisë institucionale, lëshimi i lejeve ujore pa koncesion, përgatitja e raporteve dhe lëshimi i lejeve pa rekomandim të zyrtares së lartë për të drejtën ujore.

Për Berishën janë konstatuar shkelje edhe për kohën sa ka qenë udhëheqës i Divizionit për Pagesa Ujore dhe Projekte.

Për atë pjesë thuhet se ka kryer shkelje të rënda të detyrave të punës, mospërmbushje të detyrave dhe moszbatim të dispozitave ligjore./Koha/

Related Articles