Shkëndija shënon fitore të lehtë ndaj skuadrës armene, Ararat

Shkëndija shënon fitore të lehtë ndaj skuadrës armene, Ararat

Shkëndija e ka nisur me këmbën e mbarë aventurën europiane në Conference League.

Kuqezinjtë arritën që të mundin në takimin e parë me rezultatin 2-0 armenët e Ararat, në një ndeshje të dominuar nga skuadra e drejtuar nga Artim Shaqiri. Tetovarët nuk e vunë në asnjë moment në diskutim fitoren, duke përjashtuar një rasti të krijuar nga armenët në minutën e parë, ndërsa pjesa tjetër e ndeshjes foli për ekipin e Shkëndijës.

Kuqezinjtë arritën që të gjenin golin e parë në minutën e 21-të me anë të Adenis Shalës. Një pasiguri e prapavijës së Ararat u shfrytëzua maksimalisht nga ana e futbollistit të Shkëndijës, i cili entuziazmoi të pranishmit në shkallët e stadiumit të Shkupit. Pak sekonda më vonë tetovarët tentuan që të shfrytëzonin entuziazmin për të shënuar dhe golin e dytë, por nuk patën rezultat. Megjithatë vetëm pak sekona para fundit të pjesës së pare, Valmir Nafiu, u kujdes që të shënonte golin e qetësisë. 28-vjeçari dhuroi spektakël me një gol mjaft të bukur nga distanca.

Pjesa e dytë kishte të njëjtën fytyrë si e para, me Shkëndijën që sulmonte dhe krijonte më shumë volum e Ararat që te tentonte të shfrytëzonte ndonjë hapësirë që mund të linin kuqezinjtë, por pa forcën për të kërcënuar portën e Shkëndijës. Pas një jave kuqezinjtë do të kenë një avantazh të konsiderueshëm e në Yerevan të Armenisë do të kërkojnë që të marrin kualifikimin për në raundin e dytë kualifikues të Conference League ku do të gjenin letonezët e Valmieras.

Related Articles