Numri i të vdekurve nga tërmeti Turqi-Siri ka shkuar në mbi 29.000 ndërsa shpresat për shpëtim po pakësohen
Trazirat në Turqinë jugore kanë ndërprerë përpjekjet e shpëtimit në disa vende pas tërmetit vdekjeprurës të së hënës, kanë thënë tre grupe shpëtimi.
Numri i të vdekurve në Turqi dhe Siri nga tërmeti ka tejkaluar 28,000 dhe shpresa për gjetjen e shumë të mbijetuarve po zbehet pavarësisht disa shpëtimeve mrekulli.
Shpëtuesit gjermanë dhe ushtria austriake ndërprenë operacionet e kërkimit të shtunën, duke përmendur përleshjet midis grupeve të paidentifikuara.
Siguria pritet të përkeqësohet pasi furnizimet ushqimore pakësohen, tha një pjesëtar i ekipit të shpëtimit.
Presidenti i Turqisë tha se do të përdorte fuqitë nga gjendja e jashtëzakonshme për të ndëshkuar këdo që shkel ligjin.
Një zëdhënës i ushtrisë austriake tha herët të shtunën se përleshjet midis grupeve të paidentifikuara në provincën Hatay kishin bërë që dhjetëra persona nga Njësia e Ndihmës ndaj Fatkeqësive të Forcave Austriake të kërkonin strehim në një kamp bazë me organizata të tjera ndërkombëtare.
“Ka një agresion në rritje midis fraksioneve në Turqi,” tha nënkoloneli Pierre Kugelweis në një deklaratë. “Shanset për të shpëtuar një jetë nuk kanë asnjë lidhje të arsyeshme me rrezikun e sigurisë.”
Disa orë pasi Austria ndërpreu përpjekjet e saj të shpëtimit, ministria e mbrojtjes e vendit tha se ushtria turke kishte ndërhyrë për të ofruar mbrojtje, duke lejuar rifillimin e operacioneve të shpëtimit.
Dega gjermane e grupit të kërkimit dhe shpëtimit ISAR dhe Agjencia Federale e Gjermanisë për Ndihmën Teknike (TSW) gjithashtu pezulluan operacionet, duke përmendur shqetësimet e sigurisë.
“Ka gjithnjë e më shumë raportime për përleshje midis fraksioneve të ndryshme, gjithashtu janë dëgjuar të shtëna”, tha zëdhënësi i ISAR Stefan Heine.
Steven Bayer, menaxheri i operacioneve të Isar, tha se ai priste që siguria të përkeqësohej pasi ushqimi, uji dhe shpresa bëhen më të pakta.
“Ne po e shikojmë nga afër situatën e sigurisë ndërsa zhvillohet,” tha ai.
Ekipet gjermane të shpëtimit thanë se do të rifillojnë punën sapo autoritetet turke ta konsiderojnë situatën të sigurt, njoftoi agjencia e lajmeve Reuters.
Zëvendëspresidenti i Turqisë, Fuat Oktay njoftoi të shtunën se numri i të vdekurve në Turqi është rritur në 24,617.
Ndërsa presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan nuk ka komentuar mbi trazirat e raportuara në Hatay, ai përsëriti të shtunën se qeveria do të ndërmarrë veprime kundër atyre që janë përfshirë në krimet në rajon.
“Ne kemi shpallur gjendjen e jashtëzakonshme”, tha Erdogan gjatë një vizite në zonën e fatkeqësisë sot. “Do të thotë që tani e tutje personat që janë të përfshirë në grabitje apo rrëmbime duhet ta dinë se dora e fortë e shtetit është mbi kurrizin e tyre.
Media shtetërore raportoi të shtunën se 48 persona ishin arrestuar për grabitje, sipas AFP. Media shtetërore turke raportoi se u sekuestruan disa armë, së bashku me para, bizhuteri dhe karta bankare.
Një burrë 26-vjeçar që kërkonte një koleg pune në një ndërtesë të shembur në Antakya i tha Reuters: “Njerëzit po thyenin xhamat dhe gardhet e dyqaneve dhe makinave”.
Policia turke raportohet gjithashtu se ka arrestuar 12 persona për ndërtesat e shembura në provincat e Gaziantep dhe Sanliurfa. Ata përfshinin kontraktorë, sipas agjencisë së lajmeve DHA.
Pritet gjithashtu të ketë arrestime të tjera pasi zoti Oktay u tha gazetarëve të shtunën vonë se prokurorët lëshuan 113 urdhër-arreste mbi ndërtesat.
Të paktën 6,000 ndërtesa u shembën në Turqi, duke ngritur pikëpyetje nëse tragjedia në shkallë të gjerë mund të ishte shmangur dhe nëse qeveria e Presidentit Recep Tayyip Erdogan mund të kishte bërë më shumë për të shpëtuar jetë.
Me zgjedhjet në prag, e ardhmja e presidentit është në lojë pasi kaloi 20 vjet në pushtet dhe lutjet e tij për unitet kombëtar nuk u morën parasysh.
Erdogan ka pranuar mangësitë në përgjigje, por ai duket se fajëson fatin në një vizitë në një zonë fatkeqësie: “Gjëra të tilla kanë ndodhur gjithmonë. Është pjesë e planit të fatit.”
Shpëtime të mrekullueshme pas 100 orësh nën rrënoja
Midis të shpëtuarve të shtunën ishte një familje prej pesë anëtarësh e nxjerrë nga rrënojat në provincën Gaziantep të Turqisë.
Agjencia e lajmeve AP raportoi se prindërit, dy vajzat dhe djali u sollën në siguri pas pesë ditësh nën shtëpinë e tyre të shembur, me thirrjet “Zoti është i madh”.
E njëjta media raportoi se një vajzë shtatëvjeçare u nxor nga mbeturinat në provincën e Hatay pas pothuajse 132 orësh nën rrënoja.
BBC ka publikuar gjithashtu pamjet e shpëtimit të jashtëzakonshëm të dy motrave në Antakya, në jug të Turqisë, nga e mërkura.
Tërmeti u përshkrua si “ngjarja më e keqe në 100 vjet në këtë rajon” nga shefi i ndihmës i Kombeve të Bashkuara, i cili ishte në provincën turke të Kahramanmaras të shtunën.
“Unë mendoj se është fatkeqësia më e keqe natyrore që kam parë ndonjëherë dhe është gjithashtu përgjigja më e jashtëzakonshme ndërkombëtare”, i tha Martin Griffiths Lyse Doucet të BBC-së në Turqi.
“Ne kemi më shumë se njëqind vende që kanë dërguar njerëz këtu, kështu që ka pasur një përgjigje të jashtëzakonshme, por ka nevojë për të,” shtoi ai.
Griffiths ka bërë thirrje që politika rajonale të lihet mënjanë përballë katastrofës dhe ka disa shenja që kjo po ndodh.
Kalimi kufitar midis Armenisë dhe Turqisë, të konfliktuar prej kohësh, u rihap të shtunën për herë të parë në 35 vjet për të lejuar ndihmat.
Dhe ka raporte se qeveria siriane ka rënë dakord të lejojë ndihmën e OKB-së në zonat e kontrolluara nga grupet opozitare, me të cilët ata janë përfshirë në një luftë të ashpër civile që nga viti 2011.
Numri i të vdekurve në Siri nga tërmeti tani është në më shumë se 3,500, sipas AFP, por shifra të reja nuk janë publikuar që nga e premtja.
Ka pasur kritika se përpjekja ndërkombëtare për të dërguar ndihma në Siri nuk ka qenë mjaft e shpejtë.
Ismail al Abdullah i Forcës së Mbrojtjes Civile Siriane, ose Helmetat e Bardha, që operojnë në zonat e kontrolluara nga rebelët, i tha Quentin Sommerville të BBC-së se organizata kishte ndaluar kërkimin për të mbijetuar.
Komuniteti ndërkombëtar ka “gjak në duart e tij”, tha ai. “Ne kishim nevojë për pajisje shpëtimi që nuk erdhën kurrë.”
Sivanka Dhanapala, përfaqësuesja siriane e Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët (UNHCR), i tha AlJazeera se 5.3 milionë sirianë mund të jenë të pastrehë pas tërmetit.
“Ky është një numër i madh dhe vjen te një popullsi që tashmë po vuan zhvendosje masive”, tha ajo.