Ka shkuar në vazhdime ndeshja mes Portugalisë dhe Sllovenisë në kuadër të 1/8 së finales në Europ 2024, pasi për më shumë se 90 minuta lojë nuk pati gola.
Pas vetëm pesë minutash lojë, portugezët rrezikuan me anë të Ruben Dias, me gjuajtjen e tij që përfundoi afër shtyllës së djathtë.
Një rast të mirë shënimi lëshoi edhe Bruno Fernandes (13’), që nuk e arriti pasimin e Bernado Silvës për të realizuar nga afër.
Në minutën e 34-të, Cristiano Ronaldo tentoi nga gjuajtja e lirë, por vetëm shtylla horizontale shpëtoi Slloveninë.
Edhe në 45 minutat e dytë, portugezët ishin më të mirë, por që ylli i Al Nassr vazhdoi ta tepronte me goditjet e tij të paefektshme nga gjuajtjet e lira.
Në minutën e 47-të, Bernardo Silva rrezikoi, por që gjuajtja e tij brenda zonës u bllokua.
Ronaldo (55’) tentoi nga gjuajtja e lirë, por që Jan Oblak ishte në vend dhe bëri një pritje fantastike.
Benjamin Sesko e pati shansin e artë që të kalonte Slloveninë në epërsi, mirëpo nuk ia doli të gjuante saktë në portën e Portugalisë.
Portugezët intensifikuan sulmet e tyre, por sërish nuk kishte efekt, duke bërë që ndeshja të shkojë në vazhdime dhe do të luhen dy herë nga 15 minuta, ndërsa do synohet shmangia e penalltive.