Shkruan BBC-ja për “planet misterioze për kufijtë e rinj në Ballkan”

Shkruan BBC-ja për “planet misterioze për kufijtë e rinj në Ballkan”

“Ndryshimi i kufijve nënkupton hapjen e kutisë së Pandorës”, thotë Valentin Inzko. Si përfaqësues i lartë ndërkombëtar në Bosnje e Hercegovinë, detyra e tij është të ruajë paqen, që erdhi pas marrëveshjes së Dejtonit që i dha fund luftës më 1995, pas më shumë se katër vjetësh betejash e më shumë se 100 mijë të vrarë, nis shkrimin prestigjiozja BBC në raportimin me titullin “Planet misterioze për rivizatim kufijsh në Ballkan alarmojnë liderët”.

Shqetësimi i tij erdhi pas publikimit të disa dokumenteve jozyrtare që sugjeronin për ndryshim të kufijve të shteteve në Ballkan. Të ashtuquajturit “non-paper” qarkulluan në qarqet diplomatike para se të publikoheshin në mediat në Ballkanin Perëndimor.

Përfaqësuesi i lartë ka thënë se ndryshimet e kufijve nuk mund të konsiderohen si përgjigje për mosfunksionalizimin e vazhdueshëm të shtetit.

“Nëse dikush preferon të mendojë për ndryshimin e kufijve, ai fillimisht duhet të vizitojë të gjitha varrezat ushtarake nga Franca deri në Stalingrad”, ka paralajmëruar ai.

Dokumentet ishin pa emër autorësh. Kjo i mbajti ato nën natyrën e “non-paperave”, por përmbajtja shkaktoi bujë në rajon.

Ndër sugjerimet ishin arritja e një “ndarjeje paqësore” të BeH-së me Serbinë e Kroacinë që do të rriteshin, bashkimin Kosovë-Shqipëri dhe krijimin e një autonomie për rajonin verior të Kosovës.

Sipas BBC-së, kjo ngjante më shumë në një listë dëshirash nga etnonacionalistët e të ’90-ave. Dhe të gjithë e dinë se si përfundoi ajo kohë.

“Jemi duke bërë gabim nëse mendojmë se konfliktet e ngriria mbesin të ngrira përgjithmonë. Duhet të shihni luftërat në Nagorno-Karabakh dhe Palestinë -konfliktet e ngrira mund të shpërthejnë në çdo kohë. Ky mund të jetë rasti edhe i Bosnje e Hercegovinës”, ka thënë Inzko.

“Non-paperat” kanë nxitur edhe përplasje diplomatike. Pak njerëz i përkrahin publikisht përmbajtjet e tyre. Një nga ta është lideri serb në Bosnje, Milorad Dodik, që s’lëshon rastin për të folur për shtytjen përpara të idesë për ndarjen e shtetit.

Sllovenia që nga fillimi është përballur me akuzat se ishte ky shtet që nxori dokumentet.

James Ker-Lindsay, ekspert i Ballkanit në “London School of Economics”, ka thënë se janë dy çështje kryesore që duhet të rregullohen në Ballkanin Perëndimor.

“Nuk mund të mohojmë se ka probleme në Ballkanin Perëndimor. Janë dy çështje të rëndësishme që duhet të zgjidhen: mosmarrëveshja mes Serbisë e Kosovës për pavarësinë e Kosovës dhe mosfunksionimi i thellë politik që ekziston në Bosnje”, ka thënë ai.

Në një takim me liderët rajonalë më herët gjatë muajit, Sllovenia u përpoq të hidhte në koshin e plehrave “non-paperat”. Ajo propozoi një deklaratë që konfirmonte qëndrimet për paprekshmërinë e kufijve aktualë.

Por Serbia refuzoi. Presidenti Aleksandar Vuçiq u shpreh se shteti i tij “njeh kufijtë e caktuar përmes kartës së Kombeve të Bashkuara”. Në fjalë të tjera, s’nënshkroi një dokument që do të interpretohej si njohje e pavarësisë së Kosovës.

Pas takimit me Vuçiqin në Slloveni, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka thënë BBC-së se ajo ishte e bindur që Beogradi qëndron prapa “non-paperave”.

“S’kam pasur asnjë dyshim që nga fillimi – është e mjaftueshme të lexohet përmbajtja dhe të shohësh çfarë përpiqen të shtyjnë përpara këto ‘non-papera’. Ideja e ndryshimit të kufijve si diçka që mund të arrijë paqen në rajon, e në fakt është krejtësisht e kundërta”, ka thënë ajo.

Natyrisht, Serbia ka mohuar se ka gisht në “non-papera” dhe James Ker-Lindsay thekson se “ekzistojnë të gjitha teoritë konspirative e që shkaktojnë konfuzion”.

Me mandatin që po i vjen drejt fundit, Valentin Inzko thjesht dëshiron që të gjithë të pranojnë kufijtë siç janë dhe të fokusohen në të ardhmen e përbashkët në Bashkimin Evropian.

“Ideja më e mirë do të ishte të ndiqnim shembullin e Tirolit – një pjesë në Itali, një në Austri. Por është një rajon, me katër liri dhe një valutë”, është shprehur ai.

Pranimi i Ballkanit Perëndimor në BE është i paarritshëm edhe për disa vjet, shkruan BBC. “Dhe kjo nënkupton që shumë ‘non-paper’, qoftë djallëzore apo konstruktive, do të shkruhen”, përfundon artikulli.

Related Articles