Fitimet nga vaksinat kundër Covid-19 kanë ndihmuar të paktën nëntë njerëz të bëhen miliarderë, tha një grup fushate të enjten, duke bërë thirrje për t’i dhënë fund “kontrollit monopol” të korporatave farmaceutike në teknologjinë e vaksinave.
“Midis tyre, nëntë miliarderë të rinjë kanë një pasuri të kombinuar neto prej 19.3 miliardë dollarësh (15.8 miliardë euro), e mjaftueshme për të vaksinuar plotësisht të gjithë njerëzit në vendet me të ardhura të ulëta”, ka thënë në një deklaratë Aleanca e Vaksinave të Popullit. Aleanca, një rrjet organizatash dhe aktivistësh që bëjnë fushatë për t’i dhënë fund të drejtave të pronës dhe patentave për inokulimet, thanë se shifrat e saj bazoheshin në të dhënat e Listës së të Pasurve të Forbes.
“Këta miliarderë janë fytyra njerëzore e fitimeve të mëdha që po bëjnë shumë korporata farmaceutike nga monopoli që mbajnë në këto vaksina”, ka thënë Anna Marriott nga ‘Oxfam’, e cila është pjesë e aleancës. Përveç mega-pasurëve të rinjë, tetë miliarderë ekzistues kanë parë pasurinë e tyre të kombinuar, të rritet me 32.2 miliardë dollarë falë shpërndarjes së vaksinave.
Në krye të listës së miliarderëve të rinjë të vaksinave ishin drejtori ekzekutiv i Moderna, Stephane Bancel, dhe homologu i tij i BioNTech, Ugur Sahin. Tre miliarderë të tjerë janë bashkëthemelues të kompanisë kineze të vaksinave CanSino Biologics.
Studimi vjen përpara Samitit Global të Shëndetit G20 të premten, i cili është vlerësuar si një mundësi për thirrjet në rritje për të hequr përkohësisht mbrojtjen e pronës intelektuale në vaksinat Covid-19. Ithtarët thonë se duke bërë kështu do të rritej prodhimi në vendet në zhvillim dhe do të adresonte pabarazinë dramatike në qasje.
Prodhuesit kanë theksuar se mbrojtja e patentave nuk është faktori kufizues në rritjen e prodhimit të vaksinave. Ata thonë se një gamë e gjerë çështjesh – nga ngritja e vendeve të prodhimit, te sigurimi i lëndëve të para, te disponueshmëria e personelit të kualifikuar – do të mbanin lart procesin e prodhimit.