Një shpërthim i fuqishëm është dëgjuar mbrëmjen e sotme në fshatin Varagë të Zubin Potokut, me ç’rast është dëmtuar kanali i ujit të Ibër-Lepencit, raporton Enigma.
Lidhur me këtë ka reaguar Lista Serbe e cila e ka dënuar këtë akt.
Në njoftimin e tyre në Facebook, thuhet se ‘ky sulm ka rrezikuar ujësjellësin e qytetarëve tanë dhe ka shkaktuar trazira për serbët në veri të Kosovës’.
“Ne duam të konstatojmë qartë se ky akt është absolutisht kundër interesave të popullit serb dhe kërkojmë nga KFOR-i dhe Eulex-i hetim të menjëhershëm lidhur me këtë rast”, thuhet në njoftimin e tyre.
Theksojmë se edhe Kompania Rajonale e Ujësjellësit ‘Mitrovica’ ka njoftuar se është ndërprerë furnizimi me ujë të pijes, si pasojë e dëmtimit të një pjesë të kanalit të Ibër-Lepencit.
Ata kanë kërkuar nga qytetarët që të sigurojnë rezerva të ujit të pijes.