Shpëtohet jeta e 5-vjeçarit në QKUK pas aspirimit të një fare të paqëruar luledielli

Shpëtohet jeta e 5-vjeçarit në QKUK pas aspirimit të një fare të paqëruar luledielli

Klinika e Otorinolaringologjisë në Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK), ka intervenuar në një rast urgjent ku është shpëtuar jeta e një fëmiu 5-vjeçar që kishte rrezikuar të mbytej nga një farë luledielli, raporton Gazeta “Enigma”.

ShSKUK përmes një njoftimin në faqene tyre zyrtare në Facebook ka njoftuar se fëmija kishte aspiruar një farë të paqëruar luledielli, e cila kishte bllokuar rrugët kryesore të frymëmarrjes.

Në momentin kritik, ekipi kujdestar i ORL-së, i udhëhequr nga dr. Flamur Ukaj, në bashkëpunim të ngushtë me ekipin e Anesteziologjisë nën udhëheqjen e dr. Valmir Idrizi, realizuan me sukses ndërhyrjen urgjente (trakobronkoskopi rigjid), përmes së cilës u largua trupi i huaj dhe fëmijës iu shpëtua jeta.

“Në ekip morën pjesë edhe instrumentarja e sallës së ORL-së dhe specializantët nga ORL dhe Anesteziologjia. Fëmija është në gjendje stabile dhe është lëshuar në shtëpi pa komplikime”, kanë njoftuar ata.

QKUK ka bërë thirrje për kujdes të shtuar nga prindërit, për të parandaluar situata të tilla të rrezikshme për fëmijët. /Gazeta Enigma/

Related Articles