Taulant Balla, Ministri i Brendshëm i Shqipërisë, ka folur rreth një operacioni të madh që u zhvillua gjatë natës.
Balla tha se gjatë këtij operacioni janë arrestuar disa persona të lidhur me krimin, e po ashtu në pranga kanë rënë edhe zyrtarë të Policisë së Shtetit, si edhe prokurorë të përfshirë në krim.
“Ky operacion domethënës është një pasqyrë e qartë e vullnetit të agjencive tona ligjzbatuese për ta goditur krimin në të gjithë spektrin e tij dhe për ta çuar në një nivel tjetër zotërimin e shtetit në funksion të rendit ligjor në Republikën e Shqipërisë”, tha Balla.
“Përgëzoj drejtuesit dhe pjesëmarrësit e uniformave blu në këtë operacion, për profesionalizmin e lartë dhe mbi të gjitha për sigurinë e plotë të informacionit sensitiv deri në finalizimin e operacionit”, shtoi ai.
“Gjithashtu shpreh besimin e plotë se forcimi i bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese dhe lufta e përbashkët për spastrimin e vatrave të krimit përballë dhe brenda vetë organizmit të shtetit, do ta çojë Shqipërinë në një tjetër nivel të sundimit të ligjit. Faleminderit të gjithëve dhe vetëm përpara!”, theksoi ai.