Shqipëri: Krizë për bukëpjekës, furrat kërkojnë punëtorë nga India

Shqipëri: Krizë për bukëpjekës, furrat kërkojnë punëtorë nga India

Shoqata e Bukës Pastiçerisë dhe Brumërave, në Shqipëri, ka ngritur shqetësimin për mungesën e fuqisë punëtore pasi nuk ka mjaftueshëm bukëpjekës.

Përmes një postimi në Facebook, kjo shoqatë njofton se po shohin mundësinë për të rekrutuar punëtorë nga India dhe për t’i sjellë në vendin tonë që të punojnë në furrat e bukës dhe pastiçeritë.

Për këtë, shoqata njofton se ka zhvilluar një takim me përfaqësues të kompanisë ndërkombëtare ABC HR, me seli të korporatës në Dubai dhe me zyra operative në Indi, që ka objekt të punës prurjen e fuqisë punëtore në vendet e tjerë.

Sipas shoqatës, kjo kompani ka një bazë të dhënash me mbi 60,000 punëtorë cilësorë, të cilët janë të gatshëm të punojnë në Europë me kontrata afatgjata. Ndërkohë që, gjatë takimit fokusi u vu te procedurat organizative, teknike e financiare që duhen për rekrutimin e punonjësve.

“Tek të gjithë ne ndihet mungesa e fuqisë punëtore, veçanërisht e specialistëve të bukës, pastiçerisë, dhe brumërave. Për këtë qëllim u organizua një takim paraprak informues me Kompaninë ndërkombëtare ABC HR me Seli të Korporatës në Dubai dhe me zyra operative në Indi, që ka në objekt të saj prurjen e fuqisë punëtore në vendet e tjera, duke pasur një përvojë të gjatë, në shtete të ndryshme të Evropës dhe Ballkanit.

Kompania ABC ka një bazë të dhënash me mbi 60000 punëtorë cilësorë të cilët janë të gatshëm të punojnë në Evropë me kontrata afatgjate. Me kërkesën tonë, më drejtuesit e Kompanisë dhe përfaqësuesit e saj në Shqipëri, u organizua një takim specifikisht për trajtimin e procedurave organizative, teknike e financiare që duhen për rekrutimin e punonjësve”, shkruan shoqata.

Vështirësitë kryesore në këtë sektor hasen veçanërisht te mungesa e specialistëve të bukës, pastiçerisë dhe brumërave, ndërkohë që kjo situatë ishte paralajmëruar edhe vitin që shkoi nga shoqata.

Related Articles