Shqipëria e Kroacia, bashkë kundër Serbisë për Kosovën

Shqipëria e Kroacia, bashkë kundër Serbisë për Kosovën

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, vizitoi të enjten Kroacinë.

Në Zagreb, Begaj u prit nga homologu i tij kroat, Zoran Milanoviq, dhe aktorë tjerë shtetërorë.

Kryetari kroat tha se po të ishte real Bashkimi Evropian, Shqipëria do të ishte shumë para në procesin e hyrjes në BE dhe se për këtë ka shumë paragjykime.

Të dy presidentët theksuan se vendet që ata udhëheqin kanë bashkëpunim të shkëlqyer i cili duhet rritur më shumë në plot fusha.

Në konferencën e përbashkët Begaj dhe Milanoviq, u pyetën mes tjerash edhe për retorikën që po e shfaq i presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq, të martën e 25 prillit tha se populli serb do vendosë se kur dhe si do ta kundërshtojnë atë që ai e quan “okupim të veriut të Kosovës” pas zgjedhjeve të 23 prillit, që i bojkotoi komuniteti serb.

Mysafiri nga Tirana, thotë se rajoni duhet lënë anash retorikën boshe e nacionaliste dhe individët të sillen si shtetar e të punojnë në interes të popullit të tyre.

“Për mua si president i republikës së Shqipërisë, Kosova është e një interesi madhor dhe se shteti i Kosovës është një shtet sovran i pavarur dhe se integriteti territorial i Kosovës as nuk mund të vihet në dyshim. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka vendosur. Kjo nuk është çështje gjërash, individësh, por për individët dëshirat e tyre duhet lënë me një anë të punojnë në interes të popullit të tyre”, tha Begaj.

Ndërsa homologu potencoi se Serbia e humbi Kosovën moti kohë, dhe se s’ka prapakthim.

“Deklaratat e z. Vuçiq janë të panevojshme, nuk dua të them se janë të rrezikshme sepse kështu u jap shumë rëndësi . Ato kanë rëndësi të caktuar, nuk është se janë të parëndësishme. Atë apo mua, si dhe kryeministrin kroat e as ministrin e tij të jashtëm, askush nuk do ta pyet për asgjë. Sepse ai zog ka fluturuar shumë moti, dhe jeton jetën e tij. Por ende nuk është pjekur, për të bërë fluturimin trans-oqeanik, flas këtu për Kosovën”, tha kryetari kroat, Milanoviq. 

Related Articles