Shqipëria ka çelur zyrtarisht ambasadën e saj në Ukrainë.
Në faqen zyrtare të ministrisë së Jashtme të Ukrainës, bëhet e dutur se ambasadori i Shqipërisë në Kiev, Ernal Filo i ka dorëzuar letrat kredenciale, zëvendësministrit të Jashtëm të Ukrainës, Yevhen Perebijnis.
Perebijnis ka uruar Filon për nisjen e misionit të tij diplomatik dhe përshëndeti vendimin e qeverisë shqiptare për të hapur ambasadën.
“Ky është një hap historik në zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale mes Ukrainës dhe Shqipërisë”, tha ai.
Zv/ministri ukrainas shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë në luftën kundër Rusisë.
“Ata diskutuan për pjesëmarrjen e Shqipërisë në Formulën e Paqes së Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelensky, mbështetjen e vendit për anëtarësimin e Ukrainës në NATO si dhe ndërveprimin e dy shteteve në rrugën e anëtarësimit në Bashkimin Europian”, njoftoi ministria e Jashtme ukrainase.