Sot hyn zyrtarisht në fuqi ligji “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë, i ndryshuar”.
Ligji parashikon rikthimin e basteve sportive por tashmë vetëm në formën online, me qëllim formalizimin e tregut të lojërave të fatit për këtë kategori loje, duke licencuar subjekte të cilat kanë eksperiencë në ushtrimin e aktivitetit baste sportive.
Sipas këtij ligji çdo subjekt i interesuar për të ushtruar këtë veprimtari, duhet të aplikojë për licencë, në përmbushje të kritereve që parashtron legjislacioni.
Subjektet që kërkojnë të pajisen me licencë në kategorinë “Baste sportive online”, duhet të jenë shoqëri aksionare, me seli në Shqipëri dhe të regjistruar në QKB; të kenë një shumë kapitali jo më pak se 40 milionë lekë; të deklarojnë burimin e kapitalit që do të investohet për ushtrimin e veprimtarisë; të ketë përvojë në fushën e lojërave të fatit në jo më pak se 3 shtete të BE/OECD dhe për jo më pak se 3 vjet, si dhe subjekti aplikues ose të paktën njëri nga aksionarët duhet të ketë gjeneruar në vitin e fundit financiar të paktën 2 miliardë lekë xhiro nga aktiviteti në fushën e lojërave të fatit.
Ndryshimet ligjore forcojnë rregullat për ushtrimin e këtij aktiviteti si dhe japin më shumë siguri për lojtarëve.
Referuar ligjit, për të mbrojtur lojtarin dhe për t’i dhënë garanci fituesit në ligj është vendosur që organizatori i basteve sportive online duhet të ngurtësojë një fond prej 120 milionë lekësh por jo më pak se 5% e shumave të vëna në dispozicion të lojës nga ana e lojtarëve brenda një viti ushtrimor paraardhës, në një llogari të veçantë bankare, në favor të Ministrisë së Financave, i cili zhbllokohet vetëm me urdhër të ministrit përgjegjës për financat.
Ligji parashtron se në total do të jepen nga Autoriteti i Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit, 10 licenca për ushtrimin e këtij aktiviteti me periudhë jetëgjatësie 10 vite.
“Dhjetë kompanitë brenda datës 15 të çdo muaj duhet të derdhin në llogari të Fondit të Posaçëm 15% të ardhurave bruto nga loja, kurse lojtarët do të tatohen mbi bazë të të ardhurave që sigurojnë, pra me fasha nga 13-23%. Të ardhurat e përfituara nga zbatimi i këtij ligji shërbejnë për krijimin e Fondit të Posaçëm që shërben për mbështetjen e projekteve në fushën e sportit, kulturës, dhe teknologjisë së inovacionit”, sipas relacionit që shoqëron këtë ligj.
Sipas ligjit të ri, Ministria e Financave, do të ketë nën kontroll çdo informacion për shumën e luajtur, pasi çdo lojtar duhet të regjistrohet në platformë nëpërmjet ID-së dhe të gjitha transaksionet mes tij dhe kompanisë do të kryhen nëpërmjet sistemit bankar. Të dhënat për lojtarët, do të mbahen për tre vjet në një regjistër të posaçëm nga të gjithë organizatorët e lojërave të fatit, si masë për të kontrolluar pikërisht shumat që do mund të qarkullohen nëpërmjet këtij aktiviteti.
Hapja e basteve sportive online pritet të sjellë në buxhetin e shtetit 2 miliardë lekë të ardhura në vit./Oranews/