Kombëtarja shqiptare zhvilloi paraditen e sotme në “Shtëpinë e Futbollit” seancën e fundit stërvitore në prag të ndeshjes së ditës së premte ndaj Çekisë, shkruan Enigma.
Skuadra zhvilloi një seancë të plotë stërvitore, që zgjati pak më shumë se 1 orë.
Në minutat e para u fokusua te përgatitja atletike, ndërsa më pas stërvitja u fokusua te loja me top dhe provimi i situatave apo skemave të ndryshme të lojës, duke provuar edhe goditjet në portë.
I gjithë grupi gëzon formë të mirë fizike dhe deri më tani nuk ka asnjë lojtar me probleme fizike, teksa të gjithë lojtarët e ftuar do të jenë të gatshëm për ndeshjen ndaj Çekisë.
Pas stërvitjes, Kombëtarja u kthye në hotel dhe më pas do të niset drejt aeroportit “Nënë Tereza”, nga ku do të udhëtojë drejt Pragës.
Ndeshja me Çekinë do të luhet të premten e 11 tetorit, në ora 20:45 në stadiumin “Epet Arena” dhe është e vlefshme për Ligën e Kombeve.
Sakaq, pasditen e sotme në ora 18:30, trajneri Silvinjo dhe një nga lojtarët e skuadrës do të dalin në konferencën zyrtare për media për të folur për këtë ndeshje të rëndësishme.