Shqipëria reagon për varrin masiv në Zubin Potok: Kujtesë se plagët e luftës janë ende të hapura

Shqipëria reagon për varrin masiv në Zubin Potok: Kujtesë se plagët e luftës janë ende të hapura

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar përmes një postimi në platformën “X” lidhur me zbulimin e një varri masiv në Kosovë.

Në reagimin e saj, ministria thekson se zbulimi i këtij varri është një kujtesë e dhimbshme se plagët e luftës në Kosovë mbeten ende të hapura.

Po ashtu, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme rithekson mbështetjen e Shqipërisë për Kosovën në përpjekjet për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, vendosjen e drejtësisë dhe ruajtjen e së vërtetës historike.

“Zbulimi i një tjetër varri masiv në Kalludër të Kosovës është një kujtesë e dhimbshme se plagët e luftës në Kosovë mbeten ende të hapura. Çdo gjetje e tillë nuk është vetëm një hap drejt identifikimit të viktimave, por edhe një dëshmi që flet vetë. Eshtrat e zbuluara janë një kujtesë e fortë e krimeve të kryera dhe e nevojës që e vërteta dhe përgjegjësia të pranohen e drejtësia të vihet në vend.

Për familjet që prej më shumë se dy dekadash presin të mësojnë fatin e të dashurve të tyre, çdo identifikim është një hap drejt dinjitetit, së vërtetës dhe drejtësisë. Shqipëria qëndron përkrah Kosovës në përpjekjet për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, për vendosjen e drejtësisë dhe për ruajtjen e së vërtetës historike. Pa të vërtetën nuk mund të ketë pajtim të qëndrueshëm”, thuhet në reagim.

Related Articles