Kombëtarja e Shqipërisë ka vijuar me përgatitjet për ndeshjen e parë të grupit në Euro 2024 ndaj Italisë, me kuqezinjtë që kanë zhvilluar vetëm një seancë stërvitore në kampin bazë në Kaiserau.
Të besuarit e Sylvinhos kanë punuar për më shumë se një orë e 30 minuta në palestër dhe në fushë, ndërsa në stërvitje prezent kanë qenë të gjithë lojtarët dhe deri më tani askush nuk ka pasur probleme fizike.
Gjatë ditës së nesërme (e mërkurë), Shqipëria do të zhvillojë një tjetër seancë stërvitore e cila do të nisë në ora 12:00 dhe do të jetë e hapur për mediat në 15 minutat e para.
Shqipëria ndeshjen e parë të fazës së grupeve në Euro 2024 do ta luajë të shtunën me fillim nga ora 21:00 ndaj Italisë.
Kjo nuk do të jetë hera e parë që këto dy kombëtare do të luajnë përballë njëra-tjetrës, pasi më herët mes tyre janë zhvilluar katër takime, ku që të gjitha i ka fituar Italia.