Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka folur për debatin rreth gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut.
Rama u shpreh se problemi nuk janë popujt në vetvete, por udhëheqësit.
Ai ka shtuar se udhëheqësit në vend që zgjidhin problemin, po e përdorin dhe e shfrytëzojnë.
“Gjuha shqipe nuk është çështje e gjykatës Kushtetuese apo e partive politike në Maqedoninë e Veriut, por është gurthemeli i Maqedonisë së Veriut dhe që nuk duhet të preket”, ka thënë ai në mbrëmjen e organizuar nga të rinjtë e Fondacionit “Arbën Xhaferi”.
Kryeministri shqiptar ka theksuar se gjuha shqipe ka ndihmuar në mënyrë të jashtëzakonshme ta mbajë bashkë Maqedoninë e Veriut dhe të ushqejë frymën e bashkëjetesës, njofton A2News, transmeton Gazeta Enigma.
“Unë mendoj që çka shqipja ka fituar si të drejtë qytetarie në Maqedoninë e veriut nuk Është çështje e GJK, nuk është çështje e ligjeve, nuk është çështje e vullneteve të përkohshme të partive politike, por gjuha shqipe në RMV është çështje e materies që ka ndihmuar në mënyrë të jashtëzakonshme që jo vetëm ta mbajë bashkë RMV, por edhe të ushqejë një frymë dhe mënyrë të të parit të bashkëjetesës mes dy popujve shtetformues të RMV maqedonasve dhe shqiptarëve në një sens si ai që Arbën Xhaferri e tregon si ëndrrën më të madhe në sensin e integrimit të dy popujve shtetformues. Kjo është një gjë shumë e madhe për t’u futur në labirinthet juridike që i përkasin të kaluarës, pasi shumë vite më parë Arbën Xhaferri dhe Ali Ahmeti, u vendos në piketat e bashkëjetesës paqësore dhe shtetndërtimit europian të Maqedonisë së atëhershme dhe RMV u vendos nga shqiptarët e përfaqësuar në tavolinë nga Arbën Xhaferri dhe të vendosur në male nga Aliu (Mehmeti). Nga kjo foltore është shkruan emri i një prej shqiptarëve më të mëdhenj që kanë jetuar në tokat e banuara nga shqiptarët, për të vendosur një gurthemeli të shtetit të RMV dhe ai gur nuk është mirë të preket, por është mirë të mbahet pastër dhe të jetë si pikë referimi për shqiptarët dhe maqedonasit dhe minoritete e tjera që jetojnë atje, sepse ai është gur që bashkoi të dy popujt në rrugën e integrimit që Arbën Xhaferri e konsideron si ëndrrën më të madhe në sistemin e vlerave politike kulturore dhe etike”. /Gazeta Enigma