Shtrimi i iftareve në sheshet e qyteteve të Kosovës tashmë është bërë traditë.
Zakonisht ndodh që organizata të ndryshme bamirëse apo edhe biznese të bëhen bashkë dhe të shërbejnë iftare për disa ditë.
Mirëpo, sivjet, qytetarët e Prishtinës dhe të Ferizajt këtë mundësi e patën çdo ditë, të cilën do ta kenë deri në përfundim të Ramazanit.
Disa shqiptarë të Kosovës që jetojnë në Turqi, të cilët janë themelues të fondacionit “Eyup Sultan Vakfi Kosova”, ngritën tenda në këto dy qytete për të shtruar iftare falas.
Ky fondacion ka marrë emrin e një komune dhe distrikti të provincës së qytetit të Stambollit, që është e banuar me shumë shqiptarë.
Për këtë, ata morën edhe lejen e këtyre dy komunave.
Që nga fillimi i muajit të shenjtë të Ramazanit, për çdo ditë këtu janë shpërndarë rreth 1 mijë shujta të ushqimit.
E krejt muaji synohet që të mbyllet me shërbimin e 60 mijë iftareve falas, 30 mijë në Ferizaj e 30 mijë të tjerë në kryeqytet.
Organizatori Agon Zhinipotoku, njëherësh edhe përfaqësues i komunës së Ferizajt, ka treguar se si janë shërbyer iftaret përgjatë këtyre ditëve.
Për secilën ditë janë shërbyer ushqime të ndryshme. Ndërkaq, ushqimi sillet këtu përmes një kompanie të kontraktuar nga shoqata donatore, të cilët shërbejnë të njëjtat shujta, si në Prishtinë ashtu edhe në Ferizaj.
Shumica e personave që vijnë në këtë tendë për t’u ushqyer, sipas Zhinipotokut, kanë kushte jo të mira ekonomike, prandaj ai thotë se lumturia e tyre për shtrimin e iftareve u ka bërë të ndjehen mirë.
E derisa shqiptarët që jetojnë në Turqi tashmë e kanë bërë traditë që çdo vit të organizojnë iftare për kosovarët, Zhinipotoku u bën thirrje bizneseve kosovare që ta bëjnë të njëjtën gjë, pasi sipas tij, nuk është shumë e kushtueshme.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Kulturë (UNESCO), në dhjetor të vitit 2023, e ka futur iftarin në listën e trashëgimisë kulturore.
Aplikacionin për këtë traditë socio-kulturore e kanë dorëzuar së bashku Irani, Turqia, Azerbajxhani dhe Uzbekistani.