Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Kent të Britanisë së Madhe, ku një shqiptar dhe një shtetase letoneze janë akuzuar për vrasje, pas vdekjes së një burri rreth të 30-ave që u qëllua me thikë.
Sipas raportimeve të Policisë së Kentit, rasti ndodhi të martën në orën 22:21 në Augustine Road në Gravesend, pas një trazire mes disa personave jashtë një shtëpie.
Viktima, i cili pësoi plagë të rënda me thikë, u dërgua me urgjencë në spital, por nuk arriti të mbijetojë. Familjarët e tij janë informuar për ngjarjen.
Të shtunën, autoritetet konfirmuan se Shahim Bulica, 25 vjeç, me origjinë nga Shqipëria, dhe Erika Korska, 31 vjeçe, nga Letonia, që të dy me banim në Gravesend, janë zyrtarisht të akuzuar për vrasje.
Dyshja u arrestua pas mesnatës së së enjtes dhe aktualisht janë në paraburgim, teksa do të dalin para Gjykatës së Magjistraturës në Medway të hënën.
Ndërkohë, një tjetër person – një burrë 33-vjeçar nga Gravesend – që ishte arrestuar në lidhje me këtë rast, është liruar pa akuza.
Policia britanike ka bërë apel për dëshmitarë që mund të kenë informacione të tjera për ngjarjen tragjike.