Shtëpia Bardhë: Nuk është momenti për takimin Biden – Putin

Shtëpia Bardhë: Nuk është momenti për takimin Biden – Putin

Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki, ka bërë të ditur se nuk ka plane për një takim apo telefonatë midis presidentit amerikan, Joe Biden dhe homologut të tij rus, Vladimir Putin, duke thënë se “Tani nuk është momenti”.

“Ne nuk po planifikojmë një takim mes tyre, apo një telefonatë. Presidenti ka qenë shumë, shumë i qartë për këtë. Por, ne do t’i kemi ato diskutime brenda dhe do të peshojmë gamën e faktorëve”, tha Psaki gjatë një konference të enjten, raporton CNN.

E pyetur nëse ka ndonjë situatë në të cilën Bideni do të ulej me Putinin nëse trupat ruse mbeten në Ukrainë, Psaki tha: “Unë nuk mund të bëj një vlerësim për këtë … Tani për tani, ata po pushtojnë një vend sovran dhe po vazhdojnë të përshkallëzojnë situatën çdo ditë. Ne kurrë nuk do ta heqim diplomacinë nga tavolina, por përsëri, tani nuk është momenti për këtë”.

Psaki nuk u përgjigj drejtpërdrejt nëse Presidenti Biden beson se Rusia do të marrë përfundimisht Kievin, duke thënë se “kjo vazhdon të jetë aspirata e tyre”.

Related Articles