Republika Çeke ka një muaj që është në gjendje të jashtëzakonshme të shpallur nga qeveria më 25 nëntor, për shkak të rritjes së rasteve me COVID-19, duke rikthyer kufizimet e ashpra për të përmirësuar gjendjen me virusin.
Të mërkurën më 22 dhjetor, qeveria njoftoi se një sërë masash tjera do të hyjnë në fuqi që nga 29 dhjetori.
Sipas këtyre masave, në festat e Vitit të Ri lejohen jo më shumë se 50 persona dhe të gjithë pjesëmarrësve duhet t’u kontrollohen certifikatat e COVID-19.
Nga 29 dhjetori deri më 2 janar, në tavolina të restoranteve nuk mund të ulen më shumë se katër persona, me përjashtim të atyre që janë nga e njëjta familje.
Në ngjarjet kulturore lejohen maksimum 1 mijë njerëz, kurse në të tjerat ku njerëzit nuk ulen në karrige, nuk lejohen më shumë se 100 persona.
Sipas institucioneve shëndetësore çeke, numri i rasteve të reja me koronavirus ka filluar të bie.
Përqindja e popullsisë çeke që ka marrë dy dozat e vaksinës është 61.4 për qind, krahasuar me 67.8 për qind për të gjitha shtetet e BE-së.
Nga 22 nëntori, vetëm personat që janë vaksinuar ose janë shëruar nga sëmundja në gjashtë muajt e fundit lejohen në restorante, hotele dhe tubime masive.
Njerëzit që kanë marrë një dozë vaksine dhe fëmijët e moshës 12 deri në 18 vjeç kanë nevojë për një test PCR jo më të vjetër se 72 orë kur hyjnë në vende të tilla. Po ashtu kërkohet testimi javor në kompani për punonjësit e pavaksinuar.
Maskat vazhdojnë të jenë të detyrueshme në të gjitha hapësirat e mbyllura, përfshirë vendet e punës dhe në transportin publik.
Në dy javët e para të vitit të ri, nxënësit dhe stafi i shkollës do të testohen dy herë në javë nëse janë apo jo vaksinuar apo kanë qenë të infektuar me COVID-19 në gjashtë muajt e fundit. Testimi do të bëhet çdo të hënë dhe të enjte.