Shtyhet gjykimi për korrupsion ndaj ish-kryetarit të Leposaviqit dhe të tjerëve

Shtyhet gjykimi për korrupsion ndaj ish-kryetarit të Leposaviqit dhe të tjerëve

Në mungesë të të akuzuarit Xhemajl Ferizi me avokatin e tij Imer Beka, të akuzuarit Haki Haxhiu, me avokatin Ahmet Tahiri, të akuzuarit Mehedi Haxhiu, me avokatin Xhafer Tahiri, të akuzuarit Mensur Rama me avokatin Lutfi Tahiri dhe të akuzuarit Boban Millovanoviq, është shtyrë seanca e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë.



Në këtë rast, ish-kryetari i Leposaviqit Dragan Jabllanoviq po akuzohet për pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, së bashku me Haxhi Bejtën, Aleksandar Ackoviq, Aleksandar Kostiq, Çedomir Timotijeviq, Bojan Banoviq, Mirosllav Ivanoviq, Ivan Kadiq, Boban Millovanoviq dhe Jellica Baraq, raporton “Betimi për Drejtësi”

Ndërsa, të akuzuarit Xhemajl Ferizi, Haki Haxhiu, Mehdi Haxhiu, Mensur Rama dhe Nijazi Musliu, po akuzohen për veprat penale pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal të organizuar dhe keqpërdorim të autorizimeve ekonomike.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit Xhemajli Ferizi me avokatin Imer Beka dhe të akuzuarit Mehedi Haxhiu me avokatin Xhafer Tahiri, kryetarja e trupit gjykues Violeta Namani, tha se të njëjtit kanë qenë të ftuar me procesverbal të seancës së kaluar, por mungesën nuk e kanë arsyetuar.

Tutje, për të akuzuarin Haki Haxhiu, gjykatësja Namani tha se avokati Ahmet Tahiri, përmes parashtresës së 2 majit 2023, ka njoftuar gjykatën se nuk mund të prezantojë në shqyrtimin e planifikuar gjyqësor për të mërkurën, për shkak të angazhimeve tjera.

Edhe për të akuzuarin Mensur Rama, sipas gjykatëses Namani, avokati Lutfi Tahiri ka njoftuar gjykatën përmes parashtresës së 2 majit 2023 se i mbrojturi i tij për arsye shëndetësore, nuk mund të jetë i pranishëm për datat 3 dhe 4 maj.

Ndërkaq, për të akuzuarin Millovanoviq, avokati Faruk Korencia, i cili ishte prezent në seancë, tha se i mbrojturi i tij është helmuar dhe për këtë rrethanë i ka dorëzuar gjykatës dokumentacionin përkatës mjekësor.

Me leje të gjykatëses Namani, mbrojtësi i të akuzuarit Boban Bonoviq, avokatit Arianit Koci tha se si gjyqtare e rastit nuk e ka qasjen e duhur me avokatët dhe se duhet të njoftojë palët tjera paraprakisht për shtyrjen e shqyrtimit gjyqësor, pasi që për të mbrojturin e tij po krijohen shpenzime shtesë.

Gjyqtarja Namani në fund njoftoi se të akuzuarit të cilët munguan pa e arsyetuar mungesën, nëse deri në fund të orarit nuk arsyetohet mungesa e tyre, ndaj tyre do të veprohet konform dispozitave ligjore për sigurimin e prezencës në shqyrtimin e ardhshëm gjyqësor.

Kurse për mungesën e avokatëve mbrojtës, të cilët munguan dhe gjithashtu nuk e kanë arsyetuar mungesën e tyre për shqyrtimin e planifikuar gjyqësor, tha se edhe ndaj tyre do të veprohet konform dispozitave ligjore

Në mungesë të kushteve ligjore, shqyrtimi i planifikuar për sot është shtyrë, ndërkaq i datës 4 maj është anuluar, duke u caktuar seancat e radhës më 8 dhe 9 qershor 2023.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të 13 shtatorit 2021, thuhet se të gjithë të pandehurit aktivisht kanë vepruar si grup i organizuar kriminal, gjatë periudhës kohore 2015-2017, duke kryer vepra të rënda penale dhe duke ditur se do të kontribuojnë në realizimin e veprimtarive kriminale.

I akuzuari Dragan Jabllanoviq akuzohet se e ka organizuar, drejtuar dhe ka mbikëqyr këtë grup, ashtu që pas emërimit në pozitën e kryetarit të Komunës së Leposaviqit, në Komunë i ka punësuar të pandehurit Aleksandar Kostiq, Aleksandar Ackoviq, Cedomir Timotijeviq, Miroslav Ivanoviq, Boban Milovanoviq dhe Ivan Kadiq.

Po ashtu, i njëjti akuzohet se me vendimin e 2 qershorit 2015, në mënyrë të kundërligjshme për drejtor të Prokurimit në Leposaviq, e ka caktuar të pandehurin Haxhi Bejta, kurse të pandehurve Bojan Banoviq dhe Jellica Baraqi, Jabllanoviq akuzohet se i ka caktuar në detyra të ndryshme në procedurën e prokurimit, ashtu që të gjithë, me qëllim që të përfitojnë dobi financiare për personin tjetër, sipas aktit akuzues me dashje i kanë shpërdorur detyrat zyrtare duke i tejkaluar kompetencat e tyre dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare të tyre.

Related Articles