Është shtyrë për në mbledhjen e radhës raportimi i ministres së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, lidhur me realizimin e projekteve të ministrisë për vitin 2023 dhe planet e ministrisë për vitin 2024 në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, kjo pasi raporti për këtë nuk ju është dërguar me kohë deputetëve për shqyrtim.
Gjatë kësaj pike pati përplasje ndërmjet deputetit të AAK-së Pal Lekaj dhe ministres Hajdari.
Përplasja erdhi pasi deputeti Lekaj, akuzoi shefin e kabineti të ministres Kushtrim Dakaj, se është mashtrues.
Lekaj duke u bazuar në një lajm të publikuar në media tha se Dakaj kishte mashtruar duke u paraqitur para policisë si inspektoriat i tregut.
“Sa e pash shefin e kabinetit, ai në 2020 ka mashtruar dhe është paraqitur rrejshëm si inspektor i tregut, ju e keni bërë shef kabineti. Ai ju ka mashtruar. Nuk kem çka me diskutu përderisa përpara nuk kemi raport. Jo kështu të vini si në mal pa sakicë”, ka thënë ai.
Për këtë pati reagim nga ana e ministres e cila tha se Dakaj nuk është mashtrues, dhe ajo theksoi se mediat sot shpifin.
“Sa i përket shefi të stafit të kabinet as një here nuk ka mashtruar dhe është mirë që njerëzit reflektojnë me psikologjinë e pasqyrës, sepse psikologjia e pasqyrës është ajo se çka mendon për vete… Mediat sot shpifin dhe shkruajnë dhe ti po nisesh nga mediat”, tha ajo.
E kryetari i këtij Komisioni Ferat Shala, kërkoi nga ministrja që të kërkoj falje deputetëve për gjuhen e përdorur.
“Duhet me kërkua falje ose me mbyllë mikrofonin”, tha ai.