Në muajin korrik të këtij viti, lajmi për shpërthimin e një bombule gazi në një hotel në Velipojë, ishte kryelajmi i ditës.
Flakët që përfshinë hotelin lënduan rëndë pjesëtarët e familjes Gjoka, Alketën 40 vjeçe, dy vajzat e saj 15 vjeç e 19 vjeçe, si dhe djalin e vogël 12 vjeçar.
Në atë kohë nëna e 40 vjeçares tregoi se e bija kishte shkuar për të bërë një kafe në mëngjes në një bombul gazi, e cila shpërtheu.
Flakët përfshinë trupin e 40 vjeçares e po ashtu dhe të fëmijëve, që në atë kohë flinin gjumë.
Pas qëndrimit për disa ditë në spitalin e Tiranës, familja u nis për kurim drejt Italisë. Ditë kaluan e njëra pas tjetrës, erdhën lajmet e kobshme për largimin nga kjo botë të dy vajzave e më tutje nënës së tyre.
E para ndërroi jetë 19 vjeçarja Daniela, më tutje e motra Klarisa e më pas nëna e tyre.
Sot në median shqiptare është përcjellë lajmi se ka ndërruar jetë dhe vogëlushi 12 vjeçar, i cili po ashtu nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të marra muaj më përpara.