Është mbyllur fraksioni i parë i lojës në derbin e madh të Anamoravës mes Gjilanit dhe Dritës.
Drita ka shkuar në pushim me avantazh 0:1 kundër Gjilanit në stadiumin me bari sintetik të këtij qyteti.
Mesfushori Rron Broja i dha epërsinë bardhekaltërve në minutën e 32-të të përballjes.
Broja shfrytëzoi harkimin e mirë të Besnik Krasniqit nga një ndërprerje dhe me një goditje të saktë e dërgoi topin në rrjetë.
Drita kishte iniciativën thuajse në gjithë 45 minutat e para të ballafaqimit.
Vlen të përmendet shtylla e Mevlan Zekës e goditur nga gjuajtja e lirë në minutën e 38-të.
Me epërsi 1:0 e ka mbyllur pjesën e parë edhe Ballkani në ndeshjen kundër Llapit në Suharekë.
Sulmuesi Albion Rrahmani i dha avantazhin skuadrës së tij në minutën e 30-të kur shënoi me kokë.
Dy sfidat në fjalë janë në kuadër të xhiros së 34-të në elitën e futbollit kosovar.